LSDM: Përkundër gënjeshtrave të Mickoskit, konfirmohet gjuha dhe identiteti maqedonas

LSDM: Përkundër gënjeshtrave të Mickoskit, konfirmohet gjuha dhe identiteti maqedonas

Gazetar: Lluka Andreev

Procesi i negociatave ka filluar dhe është koha që ai të vazhdojë me ritëm të shpejtuar, porositën Socialdemokratët dhe i ftuan deputetët e VMRO- DPMNE-së të mbështesin ndryshimet kushtetuese. Sipas LSDM-së, një hap i tillë do të kontribuonte në arritjen e qëllimit përfundimtar – anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030. LSDM kërkon që deputetët e opozitës të marrin përgjegjësi dhe të mos veprojnë në kundërshtim me interesat kombëtare dhe shtetërore.

“Përkundër gënjeshtrave të Mickoskit dhe DPMNE-së, gjuha, identiteti, kultura dhe veçantia maqedonase tani mbrohen dhe konfirmohen ndërkombëtarisht. Prova e kësaj është projekt-rezoluta në Senatin amerikan, si dhe rezoluta e miratuar më parë nga parlamenti gjerman. E gjithë kjo është konfirmim i politikës së suksesshme ndërkombëtare të qeverisë”, tha Darko Kaevski – Zëdhënës i LSDM-së.

Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE akuzoi qeverinë se po përpiqet të ndajë popullin. Sipas tyre, “përpjekjet e dhunshme të qeverisë për ndryshime kushtetuese goditën në mur.” Partia opozitare përsëriti se kërkojnë garanci institucionale nga Brukseli se rruga evropiane do të jetë e parashikueshme dhe jo një objektiv lëvizës, në varësi të kërkesave të Bullgarisë.

Më parë, përfaqësues të qeverisë theksuan se garancitë shtesë për negociata mund të diskutohen me opozitën, por ato garanci do ishin për pozicionimin e institucioneve vendase gjatë negociatave, e jo të priten nga Brukseli. Nuk dihet ende nëse kjo çështje është diskutuar nga qeveria dhe opozita. Megjithëse presidenti, Stevo Pendarovski kohët e fundit tha se bisedimet joformale po zhvillohen nën ndërmjetësimin e huaj, VMRO-DPMNE u përgjigj:

“Do ishte mirë që Stevo Pendarovski të shohë se çfarë po ndodh në diplomaci, në vend që të jetë burim i lajmeve të rreme. Nuk ka takime të tilla, formale ose joformale”, u shpreh Naum Stoilkovski – zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Ndryshimet kushtetuese tashmë kanë hyrë në procedurë parlamentare dhe pritet të jenë në seancë plenare më 18 të këtij muaji. Megjithatë, kryetari, Talat Xhaferi nuk e përjashtoi mundësinë që seanca të mund të pezullohet, dhe të vazhdojë në momentin kur do të sigurohej shumica prej dy të tretash. Përfaqësuesit qeveritarë kanë thënë se do të kërkojnë mbështetje deri në fund të mandatit të tyre vitin e ardhshëm, megjithëse procesi pritet të finalizohet deri në fund të nëntorit të këtij viti. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button