Temperaturat mbi 40 gradë, kryeqyteti ‘mbulohet’ nga mbeturinat!

Temperaturat mbi 40 gradë, kryeqyteti ‘mbulohet’ nga mbeturinat!

Gazetar: Avni Tahiri

“Si kjo deponi e egër e cila gjendet vetëm disa metra përballë ambasadës së Amerikës janë thuajse në të gjithë qytetin e Shkupit ndërsa ankesa për kundërmim të erës së keqe çdo ditë pranojmë nga ana e qytetarëve”, raporton gazetari i Alsat, Avni Tahiri.

Qytetarët thonë se i gjithë Shkupi është ngulfatur nga mbeturinat, ndërsa fajin ua lënë organeve kompetente dhe qytetarëve të pa përgjegjshëm të cilët hedhin mbetje ndërtimore dhe inventar pranë kontejnerëve.

“Nuk kam fjalë, nuk marr frymë kur e kaloj rrugën. Është e tmerrshme. Nuk e di a është faji tek Higjiena Komunale apo tek qytetarët, por ndoshta edhe pse nuk ka kontejnerë të mjaftueshëm, por mendoj se nuk janë aq të mbushur kontejnerët sa ka mbeturina këtu. Kjo është e tmerrshme, i gjithë Shkupi është kështu, gjithkund në Shkup është kështu e jo që vetëm kjo lagje por i gjithë Shkupi”, tha një qytetar.

“Çdo kund është kështu, papastërti. Qyteti i Shkupit u bë, ku të kthesh kryet sheh vetëm papastërti. Nuk e dimë a punojnë këto të Higjienës Komunale a jo. Kjo është sëmundje për të gjithë popullin. Skam koment”, u shpreh një qytetar tjetër.

“S’kanë faj as ata që i grumbullojnë mbeturinat, populli ka faj, vinë nga larg dhe hedhin këtu, pastaj disa mbeturina i mbledhin e disa jo, nuk mund të hapi dritaret, rrallë i çelim dhe kundërmon era, përballë jam me banesë”, theksoi një qytetar.

“Kohëve të fundit Shkupi asnjëherë nuk ka qenë kështu. Kjo lagje ka qenë e pastër e sa i përket mbeturinave në kontejnerë e zbrazin çdo mbrëmje por ajo rreth kontejnerëve që ka mbete është e tmerrshme, kanë faj edhe qytetarët por qyteti duhet të rregullojnë çështjen si në perëndim të ketë ditë kur mund të grumbullohen mbetjet e rënda”, u shpreh një qytetar.

Për kaosin e krijuar me mbeturinat në qytetin e Shkupit nga Ndërmarrja Publike e Higjienës Komunale fajin ua lënë një pjese të qytetarëve por edhe Qytetit të Shkupit për mosmiratimin e kërkesës për punëtorë sezonal.

“Pikat jolegale krijohen si rezultat i depozitimit të pakujdesshëm të mbetjeve nga individë jashtë kontejnerëve, pra në zona publike ose trafiku. Për momentin NP Higjiena Komunale-Shkup nuk është në gjendje të zbatojë plotësisht Planin operativ për ruajtjen e pastërtisë për shkak të pamundësisë së punësimit të punëtorëve sezonalë për shkak se programi për aktivitete shtesë në pjesën e pastërtisë publike nuk është miratuar nga Këshilli i Qytetit të Shkupit”, thonë nga Ndërmarrja Publike Higjiena Komunale.

Ndërkohë, edhe kreu i komunës së Çairit, Visar Ganiu, fajëson qytetin e Shkupit për kaosin e krijuar.

“Dy vite me kryetaren e komunës së Shkupit nuk kemi komunikim as si kolegë e as në mënyrë zyrtare dhe nuk e dimë si të funksionojmë dhe në këtë moment është prioritet sepse pastërtia për qytetarët është shumë e rëndësishme dhe fenomen që duhet ta ndryshojmë por edhe me parqe dhe gjelbërime”, tha Visar Ganiu – Kryetar i komunës së Çairit.

Përderisa të gjendet zgjidhje, problem shtese për qytetarët janë edhe temperaturat e larta që kalojnë 40 gradë celsius dhe kundërmimi i erës së keqe shtohet edhe më shumë./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button