Tensionet Rusi-Ukrainë, luftanije britanike nisen drejt Detit të Zi

Luftanije britanike do të lundrojnë drejt Detit të Zi në muajin maj mes tensioneve në rritje ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, raporton gazeta Sunday Times.
Avionët RAF F-35B Lightning dhe helikopterët shënjestrues të nëndetëseve Merlin do të qëndrojnë në gadishmëri në kuvertën e aeroplanmbajtëses kryesore të grupit, HMS Queen Elizabeth, për të mbështetur luftanijet në Detin e Zi. Ndërkohë, dy anije ruse të Ropucha nga Flota e Veriut, të afta të mbajnë tanke, autoblinda e trupa gjatë sulmeve bregdetare, kaluan në ngushticën e Bosforit në 17 prill sipas Reuters.
Atyre pritet t’u bashkohen përforcime nga flota e Rusisë në Balltik. I njëjti raport thotë se ka parë të kalojë një anije me kamionë dhe pajisje për forcat e NATO-s në Rumani, një tjetër shenjë sipas tij, e përshkallëzimit të tensioneve në rajon.