Ende s’ka vendim për “plagjiaturat” në UT

Zvarritet raporti i Inspektoratit të Arsimit lidhur me pretendimet për plagjiaturë në Universitetin e Tetovës. Edhe pse raporti duhej të publikohej para një jave, nga Inspektorati thonë për Alsat se për momentin ka përfunduar faza e parë e inspektimit, dhe se presin nga komisioni kompetent pranë Ministrisë së Kulturës që të bëjë vlerësimin e autorësisë së punimeve shkencore. Në mënyrë shtesë, Inspektorati po pret raport nga Këshilli mësimor shkencor brenda UT-së lidhur me temat e studentëve, me arsyetimin se të njëjtat janë në përpunim e sipër.

Sa i përket pretendimeve për plagjiaturë, dua të qartësoj se nuk bëhet fjalë për 7 profesorë apo 5. Bëhet fjalë vetëm për 2 profesorë dhe emrat e tjerë që përfliten janë studentë të ciklit të tretë në Fakultetin e Mjekësisë. Dhe sa i përket punimeve shkencore të profesorëve por edhe të kandidatëve, ne i kemi dërguar deri tek institucionet kompetente ato punime shkencore, gjegjësisht i kemi dërguar në Ministrinë e Kulturës, në bazë të Ligjit për të drejtat autoriale- deklaroi Ardian Musliu, Drejtor i Inspektoratit për arsim.

Sipas Musliut, Inspektorati ka konstatuar parregullsi në Rregulloren për regjistrim dhe studim të ciklit të tretë dhe në zgjedhjen e një profesori me korrespondencë, por jo në pezullimin e ish dekanit të Fakultetit të Mjekësisë, Kastriot Haxhirexha i cili edhe e dorëzoi parashtresën.

 Suspendimi i dekanit është kryer në përputhje me Statutin e Universitetit dhe Ligjin për Arsim të lart- tha Ardian Musliu, Drejtor i Inspektoratit për arsim.

Haxhirexha tha për Alsat se nuk ka pritur vendim më ndryshe, por megjithatë jo këtë indiferencë ndaj fakteve.

Të thuash nuk jemi kompetentë për vlerësimin e plagjiaturave, ndodhë vetëm tek ne. Të hedhësh topin tek Ministria e Kulturës sikur të bëhej fjalë për vjedhje të një kënge ose poezie është sa për të qarë aq edhe për të qeshur. Sa për arsyetimin e shkarkimit tim, gjoja se rektori ka të drejtë të suspendojë kë të dojë dhe si të dojë, është një perlë tjetër e gjykimit të këtij inspektorati. Edhe në sistemet më diktatoriale dhe më çnjerëzore ka disa norma ligjore, morale dhe hyjnore që i kufizojnë sjelljet autokratë- pohoi  Kastriot Haxhirexha, Ish dekan i Fakultetit të Mjekësisë në UT.

Në mes të muajit mars, revista “Veritas” publikoi punime shkencore duke pretenduar se janë plagjiaturë, të profesorëve dhe kandidatëve të tyre. Dyshimet për plagjiaturë ishin ngritur edhe nga ish dekani Haxhirexha, i cili më vonë u shkarkua nga detyra pa arsye konkrete përveç zërave për prishje imazhi të universitetit.

Anesa Salihu

LEXO EDHE:

Back to top button