Ukrainë, Mucunski takohet me homologun Sibiha
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timcho Mucunski po qëndron në Ukrainë ku është takuar me homologun e tij Andriy Sibiha. Fokusi i bisedimeve ishte në mundësitë për thellimin e mëtejshëm të dialogut politik dhe bashkëpunimit midis dy vendeve, si në nivel dypalësh ashtu edhe shumëpalësh. Theks i veçantë u vu në promovimin e bashkëpunimit ekonomik, perspektivën evropiane të dy vendeve, sfidat aktuale të sigurisë, si dhe në mundësitë që vendi ynë të marrë pjesë në procesin e rimëkëmbjes dhe rindërtimit të Ukrainës. Mucunski konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën, duke theksuar qëndrimin parimor në lidhje me respektimin e sovranitetit, integritetit territorial dhe të drejtës ndërkombëtare.
“Ne qëndrojmë me Ukrainën. Ukraina është një shtet sovran. Integriteti i saj territorial duhet të respektohet. Kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë. Dhe e drejta ndërkombëtare nuk mund të jetë çështje zgjedhjeje kur respektimi i saj nuk na përshtatet. Udhëheqja amerikane dhe përgjegjësia evropiane duhet të veprojnë së bashku. Kështu e forcojmë parandalimin sot. Kështu krijojmë kushtet për paqe nesër. Dhe kështu sigurohemi që paqja të jetë e qëndrueshme. Kur biseda nuk do të jetë më për mbrojtjen dhe mbijetesën, por për rindërtimin dhe prosperitetin, ne duam që ajo ditë të vijë sa më shpejt të jetë e mundur. Dhe kur të vijë, vendi im synon të jetë atje – jo vetëm si një mik që qëndroi pranë Ukrainës në kohë të vështira, por edhe si një partner në rimëkëmbjen dhe rindërtimin e saj,” deklaroi Timço Mucunski, Ministër i Jashtëm. /Alsat.mk








