Tentim falja e Boban Iliçit dhe të tjerëve – ASH “ngjyrosi” me të kuqe Ministrin e Drejtësisë

Gazetar: Adrian Kerimi
Aleanca për Shqiptarët hodhi ngjyrë të kuqe para godinës së Ministrisë së Drejtësisë, në shenjë revolte për tentimin e faljes së të dënuarve në mesin e të cilëve edhe Boban Iliç, shkruan Alsat.
Opozita shqiptare kërkon dorëheqjet e krerëve të Drejtësisë, Mariçiq dhe Nuhiu. Sipas ASH-së Qeveria është e gatshme të shkelë mbi gjakun e viktimave si Almir Aliut me qëllim ruajtjen e pushtetit.
“Këto janë njerëzit të cilët janë të gatshëm të shkelin mbi gjakun e Almirit, të gatshëm të shkelin mbi gjakun tonë, mbi gjakun e qytetarëve. Me të vetmin qëllim, për t’i mbrojtur pozitat e tyre ministrore. Bëhet fjalë për ministrin, zëvendësministrin dhe gjithë kabinetin qeveritar”, tha Omer Ajdini nga Aleanca për Shqiptarët.
Lëvizja Besa kërkon nga Presidenti Stevo Pendarovski të mos e nënshkruaj faljen e Boban Iliqit dhe të dënuarve të tjerë.
https://youtu.be/mKF-U8c3T-8
“I bëjmë thirrje të gjithë institucioneve kompetente, në rastin konkret Presidentit të shtetit, Stevo Pendarovskit që të marrë seriozisht rastet e ndjeshme dhe të reflektojë dhe të mos e nënshkruaj faljen e tyre”, thonë nga Lëvizja Besa.
Alternativa alarmon kryeministrin Zoran Zaev se me këtë kërkesë të Drejtësisë, lëkundur marrëveshja për bashkë-qeverisje.
“Duke shpresuar se as kryeministri aktual dhe as kryeministri i ardhshëm nuk duan ta luhatin bashkëpunimin e Alternativën, presim nga ata që ta tërheqin kërkesën nga Presidenti dhe nga ana tjetër menjëherë të fillon zbatimi i marrëveshjes së dakorduar Gashi-Zaev”, pohoi Nurxhan Asanovska, Alternativa.
Reagimeve politike nuk iu bashkëngjitën partitë e bllokut politik maqedonas LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja. / Alsat.mk