Tentimi për “puç” në BFI doli huq

Tentimi për “puç” në BFI doli huq

Bashkësia Fetare Islame vazhdon të mohojë puçin eventual në këtë institucion fetar, edhe përkundër faktit se në mënyrë të shpejtë vendosi shkarkimin dhe zëvendësimin e anëtarëve të Rijasetit të BFI-së. Vendimi i prerë nga Shaqir Fetahu ishte në pikë të natës. Menjëherë më pas u bënë emërimet e reja. Drejtori i Agjencisë për Sistemin Hallall, Muhamer Veseli u zëvendësua me Driton Dikenën. Pozitën e Jusuf Zimerit në Sektorit për Çështje Fetare-Arsimore në BFI, nga sot e mori Fejzullah Sadiku. As Ibrahim Idrizi nuk është më drejtor i Medresesë “Isa Beu”, vendin e të cilit e zuri Islam Islami. Akoma nuk janë caktuar zëvendësues të Mustafa Dautit – drejtor për komunikim me jashtë e as të Rexhep Ziberit, drejtor i Shoqatës “Ilmie”. Nga BFI thonë se bëhet fjalë për sistemime të vendeve të punës.

“Besimtarët mysliman nuk duhet të shqetësohen për këto ndryshime kadrovike në Rijaset. Ne po përpiqemi të përzgjedhim kuadro të reja, të cilët do të jenë më bashkëpunues në hierarki dhe nuk bëhet fjalë për asnjë kundërveprim që flitet në opinion të ashtuquajturin puç kundër Reisit Shaqir Fetahu,” thanë nga Bashkësia Fetare Islame.

Megjithëse komunikuam me disa nga të shkarkuarit, asnjëri nuk ishte në gjendje të fliste para kamerës. Përmes telefonit na mohuan se kanë të bëjnë me dyshime të keqpërdorimeve financiare të paratë e Haxhit apo të certifikimit Hallall. Jo zyrtarisht, këto dy indicie nuk janë arsyet e vetme që u mor vendimi, derisa Reisi Fetahu detektoi se dikush po i përgatit luhatje të fronit të Bashkësisë Fetare Islame. Nga ky institucion fetar bëjnë thirrje për qetësi që mos të dëmtohet organizimi i Haxhit as festa e Bajramit. Kujtojmë që kostoja për Haxh nga Maqedonia sivjet është bërë 6.550 euro, më e shtrenjta në rajon. /alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button