Tetë ditë pas takimit të liderëve, akoma nuk ka marrëveshje për zgjedhjen e Avokatit të Popullit
Tetë ditë pas takimit të liderëve, akoma nuk ka marrëveshje për zgjedhjen e Avokatit të Popullit
Gazetare: Fatlume Dervishi
Akoma asnjë marrëveshje mes grupeve parlamentare për zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit. Partitë bëjnë me dije se nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre fillestare. VLEN këmbëngul për Faton Selamin kurse Fronti Evropian kërkon tërheqjen e tij dhe marrëveshje politike.
Një propozim tjetër nga radhët e kandidatëve që tashmë kanë aplikuar për Avokat të Popullit do të ishte precedent i Kuvendit, vlerëson ish Avokati i Popullit Naser Ziberi. Sipas tij, zgjidhja është shpallja e një konkursi tërësisht të ri. Ziberi kërkon edhe ndryshime në mënyrën sesi zgjidhet Avokati i Popullit.
“Prandaj, në mënyrë urgjente, sipas bindjes time, duhet të ketë një orar tjetër Kuvendi për zgjidhjen e këtij problemi. Së pari të bëjë ndryshime në ligjin për Avokatin e Popullit dhe ndërkohë të shpallë konkurs të ri për zgjedhjen e Avokatit të Popullit dhe në këtë periudhë të krijohet një pajtueshmëri mes të gjitha subjekteve. Institucioni është i përgjysmuar në të gjitha kuptimet. Shtatë zëvendësit e Avokatit të Popullit nuk janë zgjedhur, Avokat të Popullit nuk ka, dy zëvendës mundohen që ta mbulojnë të gjithë lëminë, që është praktikisht e pamundur”, deklaroi Naser Ziberi, ish Avokat i Popullit.
Mes tjerash, ai sugjeron që procesi i zgjedhjes të jetë transparent, sipas modelit të zgjedhjes së anëtarëve të Antikorrupsionit. Në këtë rast, Ziberi thotë se zgjedhja me prapavijë politike do të ishte më e vështirë në raste kur kandidatët nuk do t’i plotësonin kushtet dhe nuk do të ishin persona të dëshmuar në punën e tyre.
Ziberi bllokimin e quan pjesërisht edhe sabotim të qëllimshëm, meqë ky institucion është kritik i punës së institucioneve në raport me të drejtat e njeriut.
Qeveria më herët shkurtoi buxhetin e institucionit për 45 milion denarë, nuk është zbatuar marrëveshja kolektive për rritje të pagave të të punësuarve për 30% si dhe në vend të 180, ka vetëm rreth 80 të punësuar. /Alsat.mk








