Tetovë: Miratohet buxheti për vitin 2022, kjo është shuma

Këshilli i komunës së Tetovës miratoi buxhetin për vitin 2022. Kreu i komunës, buxhetin i cili peshon 27 milion euro, e cilësoi si buxhet krize por që mundëson funksionimin normal të komunës, me disa investime kapitale, shkruan Alsat.

Brenda vitit 2022 kur edhe pritet të bëhet rishikimi i parë i buxhetit, do të parashihen edhe idetë dhe kërkesat e qytetarëve. Për shkak të borxhit të komunës së Tetovës, prej 24 milion euro, llogaria e komunës është e bllokuar nga gjithsej 435 përmbarues.

Momentalisht komuna e Tetovës, funksionon vetëm me realizimin e pagave të punëtorëve. Nga ana tjetër, siç ka njoftuar ditë më parë kreu i komunës së Tetovës, borxhi i qytetarëve për tatimin në pronë është rreth 5 milion euro, për të cilën, Kasami tha se ekziston një gatishmëri e mirë e qytetarëve për pagesën e tatimit.

“Është një buxhet i cili fillimisht është i përcaktuar nga korniza ligjore, që nënkupton mesataren e realizimit të tre viteve të fundit. Një mesatare e cila ka qenë katastrofave në periudhën e kaluar. Sa i përket vjeljes së të hyrave burimore të komunës, ky është një buxhet për funksionim normal të aktiviteteve të përditshme të komunës dhe një pjesë të vogël të investimeve kapitale. Dje patëm debatin publik me qytetarët ku morëm shumë sugjerime dhe premtuam që do inkorporohen në rebalancin e parë që do bëhet brenda vitit 2022 ku besojmë që do përmirësohet vjelja e të hyrave buxhetore”, ka thënë Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button