Tetovë, përgatitje për bulevardin “Bllagoja Toska”
Tetovë, përgatitje për bulevardin “Bllagoja Toska”

Gazetar: Bashkim Sulejmani
“Filloi të ndërtohet para afro dy dekadash, e deri më tani, u ndanë shumë mjete nga shumë buxhete komunale, kaluan madje edhe shumë kryetarë komunash, megjithatë, rruga, apo Bulevardi “Bllagoja Toska” nuk e pa fundin. Sot po vendohen vijat e bardha të këtij bulevardi, ndërsa banorët janë falënderues për këtë që është bërë, nuk harrojnë atë që kanë hequr për 15 vite me radhë”.
“Ka nisur një fillim i mbarë, por sa do zgjas nuk e dimë. Na duhen investime të mëdha. Ka qenë shumë keq, brenda 15 vjetësh, tash janë bë do rregullime, brenda mundësive por duhet të vazhdoj kështu”, tha një banor.
“Qametin kemi heq me këtë rrugë, qametin, por si të ju them si në burg ishim, as drita asgjë, uji këtu na rrinte, balta e madhe. Kjo që është bë besoni në Amerikë kam qenë në Florida, si atje është bë. Por komuna ka bërë një gabim këtu që s`ka lënë një pusetë për të hy uji”, u shpreh një banor tjetër.
“E bukur është bë rruga po lëshohet arteria kryesore e qytetit do shkarkohet qyteti. Sepse 15 vjet s`kemi parë gjë të bëhen, e tani kjo mirë është që është bërë do lehtësohet qarkullimi për gjithë qytetarët”, tha një tjetër banor.
Bulevardi është i gjerë 21 metra, i gjatë përafërsisht 420 metra. Shpronësimi në këtë pjesë ka kapur vlerën rreth 50 milionë denarë ndërsa investimi që është bërë, është 45 milionë denarë. Bulevardi pritet të lëshohet në përdorim edhe zyrtarisht, kah fundi i javës. Për këtë projekt që zgjati me vite, prej ditësh, në rrjetet sociale po përplasen dy partitë BESA dhe BDI, për atë se kush i ka meritat. Megjithatë projekti nuk përfundon vetëm me Bllagoja Toskën, pasi për kompletimin e bulevardit mbesin edhe dy pjesë të tjera, ajo për te Universiteti i Tetovës, dhe pjesa që lidhet tek kazerma e qytetit. /alsat.mk