Tetovë, pritje të gjata deri në 6 orë përpara bankave për të marrë ndihmën shtetërore

“Pakoja e radhës e ndihmës së Qeverisë, por edhe lëshimi i pensioneve për pensionistët, kthyen sërish dyndjet përpara bankave, e bashkë me këtë, edhe rrezikun për përhapjen e virusit”.
Në turma të mëdha qytetarët presin madje edhe nga 5 apo 6 orë radhë para bankave. Shumica, për ta marrë ndihmën prej 6.000 denarëve, por ka edhe të tjerë që presin për pensionet, por edhe azhurnimin e të dhënave.
“Nga pesë gjashtë orë presim këtu. Jam numër 112, kur do më vjen radha do thonë shkoni në shtëpi, ndërsa prej në 7 në mëngjes jam këtu me sëmundje, çka të bëjmë ne? Kanë leshu një ndihmë prej 6.000 denarësh, se jam me social”.
“Ja siç e sheh, s`di çka t`ju tregoj. Prej në shtat edhe ne presim”.
“Presim të marrim këtë ndihmën që na kanë lëshuar prej 6.000 denarësh u këputëm që në gjashtë”.
“Rrezik i madh është kjo afër që jemi, shteti e din se jemi në rrezik duhet të ketë më shumë punonjës brenda. Kanë ardhur pleq nga 80 vjet nga pesë orë presin në ditë dhe sërish punë nuk kryejnë”.
Mjekët apelojnë qytetarët të mbajnë distancë dhe maska në mënyrë që të ulin rrezikun nga infektimi.
E dimë se qytetarët janë të detyruar të presin para bankave, i detyron halli që kanë, mirëpo apelojmë krejt qytetarët që të mos mblidhen para bankave të mos grumbullohen të paktën se numri rrezikon të rritet edhe më shumë. Apelojmë që qytetarët të mbajnë distancën të paktën, dhe obligative siç e dimë, maskat – u shpreh Miranda Pajaziti, mjeke.
Nga Sektori i Punëve të Brendshme të Tetovës, njoftuan se planifikojnë shtimin e kontrollit para bankave për respektimin e rregullave për mbrojtje nga virusi, ndërsa apelojnë këto institucione të mbajnë rendin dhe distancën mes qytetarëve.
Bashkim Sulejmani