Tetovë/ Vera sjell kaosin në trafik
Tetovë/ Vera sjell kaosin në trafik
Tetova edhe këtë verë po përballet me problemet e vjetra, komunikacionin e ngarkuar dhe shumë rrugë të bllokuara, shkruan Alsat.
Autoritetet lokale kishin premtuar ndërprerjen e komunikacionit në bulevard dhe ndalimin e hyrjes së fugonëve në qytet.
“U paralajmërua edhe bllokimi për makina i bulevardit Iliria nga rreth rrotullimi i dytë deri tek rreth rrotullimi i radhës, edhe atë, nga data një e këtij muaji deri në fund të muajit gusht, megjithatë edhe kjo nuk ndodhi”, raporton gazetari i Alsat, Bashkim Sulejmani.
Nga komuna e Tetovës ankohen se Ministria e punëve të Brendshme po iu bën bllokime dhe nuk lejon marrjen e masave për bulevardin Iliria por edhe rrugë të tjera.
“SPB e Tetovës nuk lejon realizimin e një aktiviteti edhe pse është në kompetencë të plotë të pushtetit lokal. Edhe pse jemi dëshmitar se vitet e shkuara ka qenë traditë që gjatë verës jo vetëm ky bulevard por janë mbyllur edhe rrugë të tjera dhe asnjëherë nuk i ka penguar MPB-së. Kjo nuk ka ndryshe si të shpjegohet përveç se prapavijë politike kundër komunës së Tetovës”, tha Besar Durmishi, Komuna e Tetovës.
Nga SPB në Tetovë thonë se objektet e destinuara për qarkullim, rrugë, rrugica, lagje e tjera, nuk lejohet të konvertohen dhe përdoren për nevoja dhe qëllime të tjera.
“Kërkojmë nga qytetarët të respektojnë rregullat e trafikut se në qarkullim ka tre automjete të merimangës që funksionojnë në kuadër të shërbimit komunal dhe ngrenë gjitha makinat e keqparkuara. Në rast nevoje, në çdo unazë apo kyç të qytetit ka patrulla dhe në rast nevojë bëhet edhe devijimi i trafikut për shkarkimin e rrugëve që janë të ngarkuara”, u shpreh Fatmir Rexhepi, Zëdhënës i SPB Tetovë.
Në një javë në Tetovë SPB-ja ka shqiptuar mbi një mijë gjoba. Por përkundër masave, gjendja nëpër rrugët e qyteti nuk ka ndryshuar fare./ Alsat.mk








