Thaçi: Jemi shfajësuar nga akuzat për trafikim organesh

Thaçi: Jemi shfajësuar nga akuzat për trafikim organesh

Gazetare: Semra Musai

Në ditën e dytë të seancës gjyqësore ndaj ish krerëve të UÇK-së në Hagë, ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u shpreh i bindur se do të shfajësohet nga akuzat e Prokurorisë Speciale për krime lufte ashtu siç u shfajësua nga akuzat për trafikim organesh. Thaçi tha se ndërkombëtarët i kishin thënë se duhej themeluar Gjykata Speciale në mënyrë që të largohet reja e zezë mbi Kosovën.

“Bota tani e di qe nuk kishte trafikim organesh dhe “shtëpi të verdhë” nuk ka ekzistuar kurrë. Tani e dimë unë, dhe populli edhe gjithë shqiptarët jemi shfajësuar nga kjo. Reja e zezë mbi Kosovën është hequr. Sakrifica ia ka vlejtur. Pres te shfajësohem nga çdo akuzë në fund të këtij procesi”, u shpreh Hashim Thaçi, i akuzuar.

Mbrojtja e Thaçit hodhi poshtë akuzat e Prokurorisë Speciale. Avokati i Thaçit, Gregory Kehoe, insistoi se Thaçi nuk kishte pushtet real gjatë luftës, ashtu siç pretendon prokuroria se ai ka udhëhequr një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”.

“Hashim Thaçi nuk kishte asnjë motiv që të merrte pjesë në krime, si një prej udhëheqësve politikë të UÇK-së, Hashim Thaçi e dinte se suksesi i lëvizjes çlirimtare të Kosovës varej nga mbështetja e vendeve perëndimore sidomos nga SHBA-të…Përfaqësuesit e ZPS-së folën si kolaboracionistët shiheshin si rrezik ekzistencialë. I vetmi rrezik ishte ushtria serbe bashkë me forcat paramilitare”, deklaroi Gregory Kehoe, avokati i Hashim Thaçit.

Sipas avokatit të Thaçit, Serbia ka kryer krime në Kosovë që shpesh kanë pasur për bazë edhe hakmarrjen. Ish-eprori i UÇK-së, Rexhep Selimi, sërish para Dhomave të Specializuara tha se nuk ka të bëjë me asnjë nga krimet e pretenduara në aktakuzën ndaj tij.

“Ne luftën nuk do ta zgjidhnim kurrë as si profesion e as si pasion, por ajo ishte domosdoshmëri për mbijetesën si komb e si shoqëri. E ndërkohë dhuna agresive dhe shtypja vazhdonte kundër popullatës shqiptare në Kosovë. Serbia kreu qindra masakra ku siç të gjithë e dinë vrau mbi 12 mijë shqiptarë pa kursyer gratë e fëmijët, pleqtë e të sëmurët. Përveç vrasjeve forcat serbe dhunuan mijëra gra e vajza të pambrojtura shqiptare. Ne nuk kishim kazerma, por kishim shtëpitë e familjeve tona dhe familjeve të tjera të cilët na strehonin dhe na mbanin”, tha Rexhep Selimi, i akuzuar.

Akuzat i hodhi poshtë edhe mbrojtja e Kadri Veselit.

“Nuk ka asnjë provë që ai të ketë autorizuar apo të ketë nxitur ndonjëherë ndonjë krim apo ndonjë politikë kriminale, që ai të ketë marrë ndonjëherë në cilësinë si shef i zbulimit ndonjë raportim të ndonjë krimi të kryer apo që ai të ketë luajtur ndonjëherë çfarëdo lloj roli në ngjarjet që kanë çuar në kryerjen e ndonjë krimi, pra nuk ka asnjë provë për këto pika, fare” – Ben Emmerson, Avokat i Kadri Veselit.

Gjykimi i ish krerëve të UÇK-së filloi një ditë më parë. Prokuroria prezantoi provat fajësuese. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button