Tirana drejt protestës së 35-të antiqeveritare, paralajmërohet mobilizim masiv

Gazetare: Melihate Rustemi

Në Tiranë, përpara godinës së Kryeministrisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, do të zhvillohet protesta e 35-të radhazi anti-qeveritare, e cila këtë herë ka marrë formatin e një mobilizimi mbarëkombëtar. Veçoria e tubimit të sotëm është pjesëmarrja e paralajmëruar e qindra shqiptarëve nga diaspora. Tubimi i sontëm përkon me 250-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-ve, por edhe me 62-vjetorin e lindjes së kryeministrit Edi Rama, ndaj të cilit drejtohet e gjithë revolta.

Ndërkohë që bulevardi po bëhet gati për protestën masive, vetë kryeministri Edi Rama ka zgjedhur rrjetet sociale për të shënuar ditëlindjen e tij. Përmes një fotografie krah një flamingoje, kreu i qeverisë ka përcjellë një mesazh falënderimi për urimet e marra, duke shfaqur një qëndrim të qetë dhe të distancuar nga zhvillimet politike jashtë zyrës së tij. Ky reagim ka krijuar një kontrast të fortë midis mesazheve festive në rrjetet e tij dhe toneve të ashpra të opozitës në terren.

Pas një mbledhjeje maratonë të organizatorëve mbrëmjen e së premtes, u njoftua zyrtarisht ngritja e një “Komitetit Kombëtar të Protestës”, i cili do të udhëheqë hapat e mëtejshëm të qëndresës qytetare, e cila tashmë ka hyrë në muajin e saj të dytë.

Nga ana tjetër, tensioni mbetet i lartë pas përplasjeve të ditëve të fundit para Parlamentit, ku avokatët konfirmuan se nga 23 të shoqëruarit e fundit, 4 prej tyre kanë mbetur në pranga.

Grupet organizatore dhe opozita kanë konfirmuar se nuk do të ketë tërheqje pa plotësimin e pesë pikave kryesore: Dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij. Krijimi i një qeverie teknike tranzitore (12-mujore) për të garantuar zgjedhje të lira. Ndryshime Kushtetuese për reformimin e Kodit Zgjedhor dhe kufizimin e mandateve të kryeministrit në vetëm dy. Anulimi i ligjeve të debatueshme, përfshirë ndryshimet për Ligjin e Zonave të Mbrojtura, Trashëgiminë Kulturore dhe “Paketën e Maleve” si dhe Nënshkrimi i një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit.

Për shkak të fluksit të madh të qytetarëve nga rrethet dhe emigrantëve, Policia e Shtetit ka marrë masa të rrepta sigurie duke bllokuar pjesërisht qarkullimin në qendër të Tiranës që prej orëve të pasdites. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button