“Titanik 2”, Mijallkov asnjë fjalë në seancën gjyqësore

“Titanik 2”, Mijallkov asnjë fjalë në seancën gjyqësore

Gazetar: Ardit Ramadani

Pas mungesës në seancën e fundit, ish-drejtori i Policisë Sekrete, Sasho Mijalkov sot nga Burgu i Strugës u soll në Gjykatën Penale në Shkup për rastin Titanik 2. Seanca zgjati dy orë por Mijallkov dhe mbrojtja e tij ishin shumë të qetë. Të akuzuarit tjerë Menduh Thaçi, Bedredin Ibraimi dhe Sasho Srcev parashtronin shumë pyetje dëshmitarëve, Mijallkov dhe mbrojtja e tij kaluan tërë seancën në heshtje absolute. Kjo sepse gjasat janë shumë të mëdha që ai të shpëtojë nga akuza për këtë lëndë pasi vepra e tij vjetërsohet për katër muaj. Prokurori Gavril Bubevski shpreson të mos vijë puna deri këtu.

“Është evidente se gjykata se bën përpjekje që e gjithë kjo të përfundojë në afat sa më të shpejtë, unë shpresoj që Gjykata e Apelit të marrë vendimin brenda afatit të caktuar deri në momentin e fillimit të parashkrimit absolut. Si Gjykata e Shkallës së Parë ashtu edhe Gjykata e Apelit”, deklaroi Gavril Bubevski, prokurorë, shef i Prokurorisë së Shkupit.

Bubevski i cili ishte pjesë e PSP-së, tha se ashtu si të gjithë qytetarët, ndjehet i zhgënjyer që për shumë lëndë të PSP-së nuk pat epilog.

“Ndjenja ime është e njëjtë si e gjithë qytetarëve të vendit. Thjeshtë, drejtësia që u dashtë ta mundësojë Prokuroria Publike Speciale, është evidente që nuk u mundësua. Të paktën për disa lëndë të cilat ende nuk po marrin fund, edhe pse, ne jemi një palë në procedurë dhe të akuzuarit së bashku me mbrojtjen janë ana tjetër e procedurës dhe në fund është gjykata ajo që gjykon lëndët. Pra, janë disa elemente që ndikojnë edhe në zvarritjen e procedurave por ndikojnë edhe në ndjenjën në qoftë se për disa lëndë drejtësia është sjellë” , deklaroi Gavril Bubevski, prokurorë, shef i Prokurorisë së Shkupit.

Aktualisht lënda “Taitanik 2” është në procedurë dëshmuese për së dyti herë, ngase në dhjetor të vitit 2019 Gjykata e Apelit në Shkup anuloi vendimin e Gjykatës Penale për dënime me burg. Sipas aktakuzës, Sasho Mijalkov përmes Menduh Thaçit kishte urdhëruar bashkë-partiakun e tij nga KShZ-ja, Bedredin Ibraimi për anulimin e votimit të rregullt në një vendvotim në Strumnicë, në favor të kandidatit të VMRO DPMNE-së.

Sot në mesin e dëshmitarëve ishte ish-përfaqësuesi i BDI-së në KShZ-së, Subhi Jakupi, ish-kryetari i KShZ-së Boris Kondarko, ish-anëtarja Violeta Duma dhe Vasil Krstev. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button