Pediatria në Ohër, premtime boshe për zgjidhje e problemit me repartin e fëmijëve

Pediatria në Ohër, premtime boshe për zgjidhje e problemit me repartin e fëmijëve

Gazetar: Miki Trajkovski

Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali, ka premtuar sërish se do të zgjidhet problemi me repartin e fëmijëve në Ohër. Ohri mbeti vetëm me dy pediatër. Por, ka kaluar më shumë se një vit dhe përgjigja e fundit nga ministria që ai drejton është sërish e njëjtë sikur tre vitet e mëparshme.

“Nga Spitali i Ohrit kërkohet mënyrë për ta tejkaluar sfidën me mjekët pediatër brenda mundësive ligjore”, njoftojnë nga Ministria E Shëndetësisë.

Sali tha në shtator se problemi do të kompensohet me staf profesional nga qytetet tjera, konkretisht nga spitali i Strugës.

“Kjo do të thotë se nga drejtorët është kërkuar që të ketë marrëveshje në mes të dy institucioneve, në mënyrë që mjekët nga Struga në Ohër të ndërrohen çdo javë”, tha Bekim Sali-Ministër i Shëndetësisë.

Drejtori i spitalit të Strugës thotë se të gjithë pacientëve nga Struga, por edhe nga rajoni më i gjerë, u jepet shërbimi i nevojshëm shëndetësor.

Por, mjekët nga Struga me të cilët bisedoi Alsat, nuk pranojnë të bëjnë rotacion në Ohër, pasi siç thonë ata tashmë kanë një ngarkesë të shtuar. Madje paralajmërojnë se janë në fund të forcave të tyre. Ata bëjnë mbi 100 kontrolle në ditë me pacientë nga Ohri dhe Dibra. Në nëntor të vitit të kaluar, reparti për fëmijë në Ohër, për shkak të mungesës së mjekëve pediatër, filloi punën vetëm si ambulancë e zakonshme. Në orët e vona, gjatë festave, fundjavëve dhe për hospitalizim, pacientët dërgohen në Strugë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button