Në Kosovë, ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, është pyetur në një konferencë për media lidhur me kërkesën e protestuesve për dorëheqjen e saj, si dhe deklaratat që e lidhin atë me bashkëpunim me Gjykatën Speciale. Gërvalla i ka mohuar këto pretendime, duke thënë se nuk ka pasur asnjë lidhje me UNMIK-un, EULEX-in apo Gjykatën Speciale. Sa i përket kritikave për heshtjen e saj pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Gërvalla ka thënë se Ministria e Drejtësisë është duke u përgatitur për hapat e ardhshëm. Ajo ka thënë se Qeveria mund të bëjë më shumë në këtë proces dhe se aktualisht janë duke u analizuar rrethanat për hapat e ardhshëm.
“Unë nuk kam mbetur e heshtur. Nga Ministria e Drejtësisë, Kryeministri e ka dhënë një deklaratë në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndërsa unë së bashku me ekipin tim që nga dita e parë i jam futur punës me qëllim që të përgatitemi, sepse çështja e Gjykatës Speciale është betejë ligjore, nuk është betejë deklaratash në media. Unë jam e bindur që mund të bëjmë më shumë. Mirëpo, jemi duke i shikuar dhe analizuar të gjitha rrethanat me qëllim që secili në pozicionin e tij, në përgjegjësinë e tij, ta kryejë punën e tij me ndershmëri dhe me azhurnitet”, deklaroi Donika Gërvalla, Ministre e Drejtësisë e Kosovës./Alsat.mk.








