Tragjedi në Vollkovë të Shkupit, qiramarrësi vret pronarin pastaj dhe veten

Tragjedi në Vollkovë të Shkupit, qiramarrësi vret pronarin pastaj dhe veten

Gazetar: Mihajllo Donev

Dy të vdekur dhe disa të plagosur në Vollkovë të Shkupit pas një incidenti me armë zjarri mëngjesin e sotëm, konfirmon MPB. Jozyrtarisht, Alsat mëson se një qiramarrës ka vrarë pronarin e shtëpisë ku jetonte pasi i kishte thënë të largohet nga shtëpia më 1 prill. Qiramarrësi ka qëlluar me pushkë pronarin nga dritarja, më pas është mbyllur në dhomën ku ka qëndruar dhe ka kryer vetëvrasje.

“Rreth orës 09:00, në SPB Shkup është raportuar se në fshatin Volkovë, afër Shkupit, ka ndodhur incident me të shtëna me armë zjarri, ku disa persona kanë mbetur të plagosur. Në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e policisë dhe është konstatuar se R.C. dhe M.N. nga plagët e marra kanë vdekur në vendngjarje. Një mjek i urgjencës ka konstatuar vdekjen e tij. I lënduar ka mbetur edhe një i mitur i cili është transportuar për mjekim në Klinikën “Nënë Tereza”. Si autor i mundshëm i ngjarjes përmendet M.N”, njoftojnë nga Ministria e Brendshme.

I mituri i lënduar është shtruar në “KARIL”, ka konfirmuar drejtori i klinikës, i cili tha se është në gjendje stabile.

“Para më pak se 10 minuta është pranuar pacient që është plagosur me armë zjarri. Aktualisht po kryhen analiza tek i njëjti. Në përgjithësi, gjendja është relativisht e qëndrueshme dhe pacienti do të vazhdojë trajtimin pas ekzaminimeve, ndoshta në klinikën e kirurgjisë plastike”, deklaroi Marija Srceva Jovanovski, drejtoreshë e KARIL.

Prokurori publik ka kryer kontroll në vendin e ngjarjes, ndërsa do të kryhet ekspertizë shtesë për armën e gjetur në vendin e ngjarjes.

“Prokurori publik, policia dhe ekipet tjera hetimore po kryejnë kontroll në vendngjarje dhe po ndërmarrin të gjitha veprimet për zbardhjen e ngjarjes. Është dhënë urdhër për autopsi të trupave të dy të ndjerëve. Arma është marrë nga vendi i ngjarjes dhe do t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore. Për zbardhjen e të gjitha rrethanave të ngjarjes do të kryhen ekspertiza balistike dhe ekspertiza të tjera mjeko-ligjore”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike.

Më shumë informacion nga organet kompetente priten pas përfundimit të plotë të procedurës. /Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button