Tragjedia në derë të shkollës fillore në Tiranë, arrestohet autori i krimit

Tragjedia në derë të shkollës fillore në Tiranë, arrestohet autori i krimit

Gazetare: Xhesika Sallahi

Vrasja e 14 vjeçarit pranë shkollës fillore në Tiranë tronditi mbarë opinionin publik. Teksa, policia njoftoi se e arrestuan autorin, bashkëmoshatar të viktimës. I mituri akuzohet për veprat penale “Vrasja me dashje e kryer ndaj të miturit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Pasi i mori jetën 14 vjeçarit, autori i vrasjes me “krenari” pozonte në rrjete sociale, madje edhe thikën me të cilën goditi disa herë viktimën në zemër. Shkolla Fan Noli është në zi. Bashkëmoshatarët e viktimës, prindër dhe qytetarë janë shprehur se kjo është një dhimbje e papërshkrueshme, duke bërë thirrje të duan njëri tjetrin dhe të ndalojnë dhunën. Për ngjarjen ka reaguar edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili bën thirrje për frenimin e promovimit të dhunës dhe shfaqjeve të dhunshme në shoqëri.

“Ku është përgjegjësia e mësuesve, e rojeve te dera, e shokëve? Prindërit duhet ta mësojë fëmijën ta dojë shokun, të dojë, të respektojë mësuesen, të respektojë më të madhin, jo kështu!”, u shpreh një gjyshe.

“Patjetër që jemi të shqetësuar. Shikoji, në vend se të vinë me fletore në shkollë, vijnë me lule për shokët”, tha një prind.

Kjo ngjarje tronditëse ka përplasur edhe partitë politike në Kuvend, ku opozita kërkon dorëheqjen e ministres së arsimit, Ogerta Manastirliu dhe akuzon policët se nuk ofrojnë siguri, teksa shumica akuzon opozitën për patetizëm politik. Policia nuk ka ende të qartë motivet e krimit, por sipas veprimeve paraprake, konflikti me të miturit ka nisur në rrjete sociale, por që përfundoi me pasoja fatale. Gjatë konfliktit u dëmtuan tre të mitur, ndër tyre dhe autori, i cili goditi me thikë disa herë viktimën dhe shokun e tij. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button