Nuk ka raste të reja të gripit të shpendëve në Shqipëri, rikthehet normaliteti në tregtinë e vezëve dhe mishit
Nuk ka raste të reja të gripit të shpendëve në Shqipëri, rikthehet normaliteti në tregtinë e vezëve dhe mishit
Ministria e Bujqësisë ka njoftuar sot se ka përfunduar monitorimin dhe kontrollet në të gjithë Shqipërinë, pas dyshimeve që lindën për përhapjen e gripit të shpendëve.
Kontrolle janë kryer në 13,907 ferma për mbarështim shpendësh dhe sqarohet se nuk janë ndeshur dyshime klinike. Ministria shton se Shërbimi Veterinar Rajonal ka nxjerrë sot nga karantina vatrën pozitive me Influencë aviare ndërsa tregtimi i mishit dhe vezëve i rikthehet normalitetit.
“Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk ka evidentuar probleme gjatë 70 kontrolleve në tregtimin e produkteve ushqimore, me origjinë nga shpendët: vezë dhe mish pule. Kanë mbërritur gjithsej 354 mostra në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, të cilat kanë rezultuar negative. Instituti i Shëndetit Publik nuk ka identifikuar raste të dyshimta apo pozitive me Influencë aviare në njerëz”, thuhet në reagim.
Pas përfundimit të analizave dhe kontrolleve, Ministria e Bujqësisë njofton edhe rikthimin në normalitet të tregtisë së mishit të shpendëve dhe vezëve, duke shfuqizuar kufizimet për Tiranën, Vorën dhe Kamzën.
Njoftimi i plotë:
Njoftojmë publikun se prej datës 30.10.2024, nuk ka pasur shfaqje të reja të Gripit të Shpendëve, në vendin tonë. Menjëherë pas marrjes së njoftimit Alert për konfirmimin e sëmundjes së Influencës aviare në një fermë oborri familjar, në fshatin Mëzez, Njësia Administritative Kashar u morën masa për monitorimin dhe kontrollin e rastit.
Për zbulimin e hershëm të sëmundjes dhe kufizimin e përhapjes së saj, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ka marrë masat dhe monitoruar 13, 907 ferma për mbarështim shpendësh, të madhësive të ndryshme apo 135, 651 krerë shpendë, nga të cilat janë identifikuar dhe 39 ferma të reja. Gjatë kontrolleve nuk janë ndeshur dyshime klinike. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk ka evidentuar probleme gjatë 70 kontrolleve në tregtimin e produkteve ushqimore, me origjinë nga shpendët: vezë dhe mish pule. Kanë mbërritur gjithsej 354 mostra në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, të cilat kanë rezultuar negative. Instituti i Shëndetit Publik nuk ka identifikuar raste të dyshimta apo pozitive me Influencë aviare në njerëz.
Si pasojë e zgjidhjes së rastit, Shërbimi Veterinar Rajonal ka nxjerrë sot në datën 19.11.2024 nga karantina vatrën pozitive me Influencë aviare. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka raportuar në Organizatën Botërore të Shëndetit të Kafshëve marrjen e masave dhe zgjidhjen e rastit. Qendra Kombëtare e Krizës, mbajti sot në mjediset e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimin Rural takimin përmbyllës për rastin Alert dhe analizimin e ecurisë së monitorimit.
Aktiviteti tregtar për shpendët e gjallë, në Bashkitë Tiranë, Vorë dhe Kamëz i rikthehet normalitetit dhe Urdhri i Ministrit Nr. 886, datë 30.10.2024 “Për marrjen e masave kufizuese për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes së influencës aviare në shpendë, në mjediset e hapura dhe në tregjet e kafshëve të gjalla”, shfuqizohet.
Pavarësisht, zgjidhjes së shpejtë dhe parandalimit efikas të rastit, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural udhëzon shpendërritësit në të gjithë vendin, të marrin masa për zbatimin e biosigurisë në fermat dhe mjediset ku ata mbarështojnë shpendë, si dhe të kryejnë blerjen apo lëvizjen e shpendëve, vetëm pasi të jenë autorizuar nga Veterineri Zyrtar i Shërbimit me Certifikatën Veterinare të Lëvizjes së Kafshëve.