Tragjedia në Koçan / Një muaj pas tragjedisë, hetimi zgjerohet edhe me zyrtarë të tjerë policorë

Tragjedia në Koçan / Një muaj pas tragjedisë, hetimi zgjerohet edhe me zyrtarë të tjerë policorë

Gazetar: Mihajllo Donev

Inspektorë, kryeshefa dhe komandantë aktualë dhe të pensionuar nga Shtipi dhe Koçani janë mes dhjetë zyrtarëve policorë që kanë nënshkruar dokumente dhe kanë dhënë miratim që diskoteka “Puls” në Koçan të funksionojë pa i plotësuar kushtet ligjore, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme. Edhe pse e kanë ditur, policët me vetëdije kanë dhënë informata të rreme zyrtare, duke deklaruar se në këtë lokal nuk ka pasur shkelje të rendit dhe qetësisë publike.

“I denoncuari i nëntë V.I më 21.01.2022, ka përgatitur telegram ku në vend që të japë të dhëna të sakta dhe të plota se në kabarenë “Puls” dhe në afërsi të lokalit janë denoncuar shkelje të rendit dhe qetësisë dhe vepra të denoncuara penale, ka dhënë informacione se në kabare, në vitin 2021 ka pasur një shkelje, edhe pse e ka ditur se ka shkelje të rendit dhe qetësisë publike dhe vepra të denoncuara penale në vitin 2019 dhe 2020. I denoncuari i dhjetë A.T, edhe pse e ka ditur dhe ka qenë i ngarkuar ta dijë se ka disa shkelje të denoncuara të rendit dhe qetësisë publike në afërsi të kabaresë “Puls”, telegramin e përpiluar e ka kontrolluar, miratuar dhe firmosur me firmën e tij”, njoftojnë nga MPB-ja.

Me këtë fshehje dhe falsifikim të gjendjes faktike, zyrtarët policorë kanë mundësuar që kabareja të marrë licencë, pa u kryer të gjitha verifikimet e nevojshme.

“Të denoncuarit si persona zyrtarë kanë mundësuar që subjekti juridik “Klasik DM” SHPKNJP Koçan të pajiset me licencë për ushtrim të veprimtarisë gastronomike – kabare “Puls” në Koçan, në mënyrë që nuk kanë vepruar sipas rregulloreve për masat e mbrojtjes dhe nuk kanë kryer verifikim të plotë para se të jepej pëlqimi pozitiv për lëshimin e licencës për kabare, me ç’rast kanë shkaktuar rrezik për jetën dhe trupin e njerëzve në një vend ku mblidhen numër i madh i personave”, thonë nga MPB.

E gjithë kjo, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, rezultoi me zjarrin tragjik në kabare para një muaji, kur humbën jetën 61 persona. Nga dhjetë policët e sapo denoncuar, gjashtë janë privuar nga liria, një person është në kërkim, dhe tre të tjerë ndodhen tashmë në paraburgim. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button