Trajneri Inzagi merr dy lajme të mira nga infermieria

Skuadra e Interit është duke shijuar një pushim 48-orësh që trajneri Simone Inzagi i dha skuadrës pas fitores ndaj Empoli, për të rinisur të enjten stërvitjen. Rikthimi në fushë mund të vijë me dy lajme të mira, pasi bashkë me grupin do të jenë edhe De Vrij e Arnautoviç.

Ata do t’i bashkohen skuadrës dhe, për këtë arsye, do të jenë të disponueshëm për ndeshjen kundër Udinezes në kampionat. Ndërsa rikthimi i Kuadrados pritet të ndodhë javën e ardhshme, për të kompletuar edhe më shumë skuadrën në këtë moment kyç të sezonit.

Në ndeshjet e fundit kanë munguar golat nga sulmuesit kryesorë: Lautaro nuk realizon prej tre takimesh, ndërsa Turam, pas dëmtimit të pësuar në ndeshjen e parë kundër Atletiko Madridit, nuk është ende në 100% të formës. Për këtë arsye rikthimi i Arnautoviçit është i rëndësishëm, ndërkohë që bind forma e Aleksis Sançez.

Në mbrojtje me rikuperimin e De Vrij, trajneri Inzagi është më i qetë, pasi ka më shumë alternativa. Edhe në mesfushë Çalhanoglu dukej paksa i lodhur, ndaj mund të luajë Asllani. Gjithsesi, Interi do të rikthehet në stërvitje dhe duket se vetëm lajme të mira vijnë nga infermieria për trajnerin Inzagi.

LEXO EDHE:

Back to top button