Trajneri Italian e kërkon mesfushorin kuqezi në La Liga të Spanjës

Nedim Bajrami nuk është duke zhvilluar sezonin më të mirë të mundshëm me Empolin në këtë sezon duke mos pasur vazhdimësinë e duhur. Megjithatë, kur zbret në fushë, fantazisti kuqezi di si t’i krijojë probleme në difensivë kundërshtarë. Së fundmi këtë e provoi Interi që humbi ndeshjen e fundit të kampionatit me një gol që u krijua nga 23-vjeçari.

Së fundmi në skenë del Valencia në La Liga-n spanjolle. Skuadra që drejtohet nga trajneri Xhenaro Gatuso pretendon të shtojë krijimtarinë në fushë dhe Bajrami duket profili i duhur për merkaton e janarit. Gjithsesi, Empoli nuk ka ndërmend të hapë rrugë teksa mundësia e vetme që mesfushori shqiptar të largohet nga Italia është vetëm nëse mbërrin një ofertë që kënaq interesat financiarë të italianëve.

Bajrami ka një kontratë deri në vitin 2024 me Empolin dhe e ardhmja e tij varet tërësisht nga klubi që nuk heq dorë lehtësisht nga “xhevahiri” i organikës. Kujtojmë se Bajrami iu bashkua Empolit nga Grasshoppers në vitin 2020.

LEXO EDHE:

Back to top button