Trajneri portugez do të aplikojë sistemin me 3 mbrojtës te “Djajtë e Kuq”

Ruben Amorim mori drejtimin e stërvitjes së tij të parë si trajner i Mançester Junajtidit. Amorim u konfirmua si njeriu që do të pasonte Erik ten Hagun në “Old Trafford” më 1 nëntor, por ai nuk e filloi punën e tij të re deri më 11 nëntor, ndërsa qëndroi derisa të respektonte afatet e shkëputjes nga ish-klubi i Sportingut të Lisbonës.

39-vjeçari konsiderohet gjerësisht si një nga trajnerët më të mirë të Evropës dhe ai më në fund nisi punën në qendrën stërvitore të “Djajve të Kuq”, “Carrington”, këtë javë. Portugezi nuk kishte një skuadër të plotë me lojtarët e ekipit të parë për të punuar, sepse shumë nga yjet e tij kryesorë ishin në detyrë me kombëtaret.

Megjithatë, në seancën e së hënës morën pjesë lojtarë si Markus Rashford, Kobi Meino, Kasemiro, Ljuk Shou dhe Leni Joro. Amorim i vendosi lojtarët e tij të bënin një sërë ushtrimesh stërvitore dhe gjithashtu organizoi një ndeshje testi. Ai zgjodhi ekipin e tij më të fortë në dispozicion përballë një skuadre të re.

Trajneri përdori një formacion me skemën 3-4-3 gjatë shumicës së 231 ndeshjeve të tij në krye të Sportingut të Lisbonës dhe duket sikur ai dëshiron të qëndrojë me atë sistem edhe në Premier Ligë. Tifozët e intriguar nisën të kuptojnë diçka më tepër rreth stilit të lojës që 39-vjeçari do të prezantojë në “Old Trafford”.

Në klipe të ndryshme, u pa se Amorim po luante me Joro, Xhoni Evans dhe Shou si treshen e mbrojtjes së tij. Katërshja e mesfushës ishte Antoni, Kasemiro, Meino dhe Tajrell Malacia, me Amad Dialonë, Rashfordin dhe Mejzon Maunt që përbënin treshen sulmuese të skuadrës.

LEXO EDHE:

Back to top button