Gazetare: Fatlume Dervishi
Presidenti Donald Tramp u bëri thirrje Kievit dhe Moskës të “ndalen aty ku janë” dhe t’i japin fund luftës së tyre brutale pas një takimi të gjatë në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin ukrainas Volodimir Zelenski. Frustrimi i Trampit duket se po kthehet në drejtim të presionit ndaj Ukrainës që të heqë dorë nga rimarrja e tokës që e ka humbur gjatë luftës.
“Sipas mendimit tim, ata duhet ta ndalojnë luftën menjëherë. Ndaleni në vijën e frontit dhe të dyja palët duhet të shkoni në shtëpi, të shkojnë te familjet e tyre, të ndalojnë vrasjet dhe kjo duhet të jetë e gjitha. Ndaleni tani në vijën e frontit. Ia thashë këtë Presidentit Zelenski. Ia thashë Presidentit Putin”, tha Donald Tramp, President i SHBA-së.
Zelenski tha se është kohë për armëpushim dhe negociata.
“Ne u besojmë Shteteve të Bashkuara. Ne i besojmë presidentit se ai dëshiron ta përfundojë këtë luftë. Dhe është e vështirë. Është një zgjidhje shumë e vështirë. Është e kuptueshme pse. Dhe për ne, është thelbësore, toka dhe vendi ynë, sepse është pjesë e pavarësisë sonë. Ka të bëjë me sovranitetin tonë”, theksoi Volodimir Zelenski, President i Ukrainës.
Hungaria flitet si vend i mundshëm për takimin e presidentëve Tramp dhe Putin kurse ajo ka treguar gatishmëri të presë dhe të sigurojë Putinin gjatë kësaj vizite. Por, Kremlini tha të premten se “shumë çështje” duhen zgjidhur përpara se Putini dhe Trumpi të takohen, përfshirë përbërjen e ekipeve negociatore.
Bashkimi Evropian tha të premten se mirëpret çdo takim që mund të ndihmojë në hapjen e rrugës për një “paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme” në Ukrainë, duke theksuar ndërkohë se çdo përpjekje diplomatike duhet të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.








