Tramp: Ukraina është gati për bisedime me Rusinë

Tramp: Ukraina është gati për bisedime me Rusinë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, tha se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka informuar se është gati për bisedime me Rusinë për t’i dhënë fund luftës në vendin e tij dhe është ofruar për të nënshkruar marrëveshjen për mineralet e Ukrainës “në çdo kohë”. Gjatë fjalimit para Kongresit amerikan, Trump tha se ka marrë një letër nga Zelensky, në të cilën udhëheqësi ukrainas ka shprehur gatishmërinë e tij për t’u ulur në tryezën e bisedimeve.

“Sot, më herët, kam marrë një letër të rëndësishme nga presidenti Zelensky i Ukrainës. Letra thotë: ‘Ukraina është e gatshme të vijë në tryezën e bisedimeve sa më shpejt që të jetë e mundur, për ta sjellë paqen e qëndrueshme më afër. Askush nuk dëshiron paqe më shumë se ukrainasit’”, deklaroi Donald Tramp, President i SHBA-së.
Tramp tha se 2.000 njerëz humbin çdo javë në luftë dhe është koha për t’i ndalur vrasjet.

“Ne kemi pasur diskutime serioze me Rusinë dhe kemi marrë sinjale të forta se ata janë gati për paqe. A nuk do të ishte e bukur? “Është koha për të ndaluar këtë çmenduri. Është koha për të ndalur vrasjet. Është koha për t’i dhënë fund kësaj lufte të pakuptimtë. Nëse doni t’i jepni fund luftërave, duhet të flisni me të dyja palët”, u shpreh Donald Tramp, President i SHBA-së.

Tramp nuk e përmendi grindjen e tij publike me Zelenskyn, javën e kaluar në Zyrën Ovale. Ndërsa fjalimin e mbajti një ditë pasi njoftoi se ka pezulluar gjithë mbështetjen ushtarake të SHBA-së për Ukrainën, e cila, tash e tre vjet, lufton kundër forcave pushtuese ruse. Që nga inaugurimi më 20 janar, Tramp ka ndjekur një strategji “tronditjeje dhe frikësimi”, duke bërë ndryshime drastike në politikën e brendshme dhe të jashtme dhe duke përdorur shpesh urdhra ekzekutivë për të anashkaluar Kongresin. Një nga veprimet e tij më të diskutueshme ishin tarifat 25 për qind, të vendosura mbi mallrat nga Kanadaja dhe Meksika – dy prej partnerëve më të mëdhenj tregtarë të Shteteve të Bashkuara. Tarifat hynë në fuqi më 4 mars, duke shkaktuar rënien më të madhe të aksioneve të SHBA-së në më shumë se dy muaj. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button