Tre muaj nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë

Tre muaj nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë

Gazetar: Shkëlzen Aqifi

Ndërsa Ukraina shënon tre muaj nga fillimi i pushtimit rus, banorët në kryeqytetin Kiev kanë përkujtuar ata që kanë humbur jetën që nga fillimi i konfliktit.

Një radhë gjigante u krijua jashtë zyrës së postës në qytet kur pullat postare dhe kartolinat speciale kundër luftës dolën në shitje.

“Kievi tashmë po restaurohet dhe institucionet po punojnë. Shumë njerëz janë në rrugë. Të gjithë po kthehen ngadalë në qytet, kështu që është pak më e lehtë, të jem e sinqertë”, tha Daria Borysyuk, banore e Kievit.

“Ukrainasit duan ta kenë këtë pullë postare në shtëpi për të simbolizuar fitoren e Ukrainës. Të paktën është Moska e parë e zhytur në ujë”, u shpreh Kristina, Domsyka, Banore.

Në tre mujorin e nisjes së pushtimit rus, Ukraina ka raportuar se janë gjendur 200 trupat e pajetë në gërmadhat e një strehimi në Mariupol. Sipas autoriteteve ukrainase, trupat gjendeshin prej kohësh aty dhe ishin në fazë dekompozimi.

Sulmi në rajonin e Donbasit është sulmi më i madh në tokën europiane që nga Lufta e Dytë Botërore. Kjo deklaratë erdhi nga ministri i punëve të jashtme në Ukrainë Dmytro Kuleba.

Ai u kërkoi aleatëve të Ukrainës të përshpejtojnë furnizimin me armë dhe municione në vend veçanërisht me sisteme të lëshimit të raketave, artileri me rreze të gjatë dhe transportues të blinduar të personelit.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky tha se javët e ardhshme të luftës do të jenë të vështira. Situata mbetet “jashtëzakonisht e vështirë” në Donbas, ku rusët po kërkojnë të “shfarosin këdo që jeton”, tha Zelensky.

“Forcat pushtuese ruse po përpiqen të tregojnë se nuk do të largohen nga territoret e pushtuara në rajonin e Kharkivit, se nuk do të dorëzojnë rajonin Kherson, territoret e pushtuara të rajonit Zaporizhia dhe Donbas. Ata vijnë pjesërisht. Ata po forcojnë pozicionet e tyre”, theksoi Volodymyr Zelebnsky, President i Ukrainës.

Më shumë se 14 milionë njerëz mendohet se janë larguar nga shtëpitë e tyre që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, thonë Kombet e Bashkuara. Rreth gjashtë milionë janë larguar për në vendet fqinje, ndërsa tetë milionë njerëz janë zhvendosur brenda vetë vendit të shkatërruar nga lufta.

Në tre muaj, mijëra njerëz, civilë dhe ushtarë, janë vrarë, por nuk ka të dhëna të qarta. Sipas të dhënave të Prokurorit të Përgjithshëm të Kievit, të paktën 234 fëmijë janë vrarë dhe 433 janë plagosur që nga fillimi i konfliktit ushtarak në Ukrainë. Për shkak të bombardimeve masive të Forcave të Armatosura Ruse, u dëmtuan 1848 institucione arsimore dhe mes tyre 173 të shkatërruara plotësisht. Vetëm në Mariupol, autoritetet ukrainase flasin për 20,000 të vrarë. Në nivel ushtarak, Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës pretendon se rusët kanë humbur 29,200 burra, 204 avionë dhe 1,300 tanke që nga fillimi i luftës më 24 shkurt. Kremlini pranon se Rusia ka pësuar “humbje të mëdha”, pa e bërë të qartë. Burimet perëndimore thonë se numri i të vdekurve është 12,000. Sa i përket Ukrainës, ajo ende nuk ka shpallur shifra të qarta për humbjet e ushtrisë së saj./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button