Tre të ndaluarit e protestës së djeshme në Tetovë, presin sot masën nga gjykata
Tre personat e ndaluar ditë më parë në protestën që u mbajt nga familjarë e 14 viktimave, por edhe nga qytetarët e Tetovës, vazhdojnë të mbeten edhe më tej në ambientet e Sektorit të Punëve të Brendshme të Tetovës. Sipas informatave nga SPB – Tetovë, ata pas marrjes në pyetje nga policia dhe dokumentimi i rastit, sot pritet të nxirren para gjykatësit hetues, i cili do të vendos për masën e mëtutjeshme, që mund të jetë ajo e paraburgimit apo mbrojtja e tyre në liri.
Në mesin e tre të ndaluarve është edhe organizatori i protestës, Blerim Ahmedi, i cili akuzohet për shkelje të nenit 384 të Kodit Penal të Maqedonisë së Veriut, që ka të bëj me organizimin dhe mbajtjen e protestave të dhunshme ku rrezikon dënim me burg deri në tre vite. Personi i dytë i ndaluar ditë më parë është një 52-vjeçar, i cili dyshohet se ka sulmuar një efektiv të policisë dhe ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrës. Ndërsa personi i tretë i ndaluar është po ashtu një protestues, i cili gjatë protestës ka bërë shkelje duke penguar efektivët e policisë në kryerje të detyrës së tyre zyrtare. Në protestën e djeshme, gjatë përleshjes me policinë janë lënduar katër efektiv të policisë, të cilët kanë marrë lëndime të lehta trupore.






