Tre zyrtarë policorë në Gjakovë ndalohen për 48 orë, katër të tjerë nën hetime





Tre zyrtarë policorë në Gjakovë janë ndalur për 48 orë, ndërsa katër të tjerë do të hetohen nga Prokuroria Themelore në Gjakovë.
Zyrtarët policore po dyshohen se kanë kryer veprat penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtarë ose autorizimeve publike” dhe “lëndim i rëndë trupor”.
Nëpërmjet një komunikatë Prokuroria Themelore në Gjakovë ka treguar se “Prokuroria njofton se rasti ka ndodhur më 04 shkurt 2021, në orët e hershme të mëngjesit, ku viktima së pari është ndaluar nga zyrtarët policorë për kundërvajtje në trafik, më pas dyshohet që është keqtrajtuar, dhe nga përdorimi i forcës fizike nga ana e tyre, i njëjti ka marrë lëndime të rënda trupore dhe për momentin gjendet për tretman mjekësorë”.
Prokurori kujdestarë në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, ka qenë në konsultim edhe me Inspektoratin Policorë të Kosovës, me rekomandimin e të cilëve janë suspenduar shtatë zyrtarët policorë, që dyshohet se janë të përfshirë në këtë incident.
Prokuroria Themelore në Gjakovë, gjatë ditës do të bëj kërkesën për paraburgim, në Gjykatën kompetente, për tre zyrtarët policorë të cilët gjenden në ndalim dhe do të vazhdojë hetimet edhe për katër policët tjerë të cilët janë të dyshuar për rastin në fjalë./KosovaPress