Tregëtari rus i armëve, përsëri në qendër të vëmendjes

Tregëtari rus i armëve, përsëri në qendër të vëmendjes

Një tregtar rus armësh i etiketuar si “Tregtari i vdekjes”, i cili dikur kishte frymëzuar edhe një film të Hollivudit, është kthyer në qendër të vëmendjes, mes zërave për një kthim të mundshëm në Moskë në një këmbim të burgosurish.

Nëse 55 vjeçari Viktor Bout lirohet në këmbim të yllit të basketbollit amerikan, Brittney Griner dhe ish-marinistit amerikan Paul Whelan, siç sugjerojnë disa njoftime në media, kjo do të shtonte dijen rreth një tregtari karizmatik armësh që SHBA-ja e ka burgosur për më shumë se një dekadë.
Filmi i vitit 2005 me aktorin Nicolas Cage, “Lord of War” është bazuar tek figura e zotit Bout, një ish oficer i forcave ajrore sovjetike i cili u bë i njohur duke dërguar armë për luftërat civile në Amerikën e Jugut, Lindjen e Mesme dhe Afrikë.

Klientët e tij thuhej se përfshinin Charles Taylor-in e Liberisë, udhëheqësin libian Moammar Gadafi dhe të dyja palët në luftën civile të Angolës.

Shira A. Scheindlin, ish-gjyqtarja federale e qytetit të Nju Jorkut që e shpalli fajtor zotin Bout, ështe mes atyre që janë në favor të lirisë së zotit Bout në një këmbim të mundshëm të burgosurish.

“Ai ka kryer një dënim të mjaftueshëm për atë që bëri,” tha zonja Scheindlin në një intervistë, duke vënë në dukje se zoti Bout, një vegjetarian dhe adhurues i muzikës klasike që thuhet se flet gjashtë gjuhë, ka vuajtur mbi 11 vjet në burgjet e SHBA.

Ai u dënua në vitin 2011 me akuza për terrorizëm. Prokurorët thanë se ai ishte gati të shiste deri në 20 milionë dollarë armë, përfshirë raketa tokë-ajër për të rrëzuar helikopterë amerikanë. Zoti Bout i ka quajtur gënjeshtra akuzat e prokurorëve.

Ai ka këmbëngulur se është i pafajshëm, duke thënë se nuk ka shitur armë. Zoti Bout ka gëzuar mbështetjen e zyrtarë të nivelit të lartë rusë që kur u arrestua për herë të parë. Një anëtar i parlamentit rus dëshmoi në favor të tij kur ai po kundërshtonte ekstradimin nga Tajlanda në SHBA.
Moska e ka paraqitur rastin e zotit Bout si një nga përpjekjet e Uashingtonit për të futur në kurth rusët e pafajshëm.

” Gazeta qeveritare ruse Rossiiskaya shkruante vitin e kaluar se ky rast ishte një ‘gjueti’ e vërtetë nga amerikanët për qytetarët rusë në mbarë botën.

Rusia e ka përmendur rastin e tij si një çështje të të drejtave të njeriut. Gruaja dhe avokati i tij pohuan se shëndeti i tij po përkeqësohet në mjedisin e ashpër të burgut.

Muajin e kaluar, komisionerja ruse për të drejtat e njeriut Tatyana Moskalkova tha: “Ne shpresojmë shumë që bashkatdhetari ynë Viktor Bout të kthehet në atdheun e tij.”

Zoti Bout, i cili tani mbahet në një burg të sigurisë së mesme në Marion të shtetit Illinois, është planifikuar të dalë në gusht 2029.

“Nëse do të më pyesnit sot nëse 10 vjet do të ishte një dënim i drejtë,” do të thosha “po”, tha ish-gjykatësja Scheindlin.

Ajo vuri në dukje se operativët amerikanë “vunë fjalë në gojën e tij” në mënyrë që ai të thoshte se ishte i vetëdijshëm se amerikanët mund të vdisnin nga armët.

” Nuk do të ishte gabim ta lironim,” tha zonja Scheindlin.

Megjithatë, ajo tha se do të ishte shqetësuese që të vihej shenja e barazimit në një këmbim të basketbollistes Griner me zotin Bout. Ylli i WNBA-së dhe fituesja e dy medaljeve të arta olimpike u arrestua në shkurt në një aeroport në Moskë, ku policia tha se gjeti vaj kanabisi në bagazhin e saj.

Qeveria amerikane e ka cilësuar atë si “të arrestuar gabimisht”, megjihatë zonja Griner pranoi fajësinë për akuzat e lidhura me drogën më 7 korrik në një gjykatë ruse.

Zonja Scheindlin tha se sportistja Griner u arrestua për diçka që “nuk meritonte as pesë minuta në burg.”
K

y mendim ndahet nga të tjerët që thonë se nuk mund të krahasohet trafikimi i armëve me vlerë miliarda dollar me një gabim të vogël të transportit të një sasie fare të vogël kanabisi që nuk ka dëmtuar askënd.

Zonja Griner mund të përballet me deri në 10 vjet burg./VOA

LEXO EDHE:

Back to top button