“Tronditet” Milani, Maldini largohet pas përplasjeve me presidentin

“Tronditet” Milani, Maldini largohet pas përplasjeve me presidentin

E pabesueshme çfarë ndodh në shtëpinë e Milanit. Vetëm pak orë pasi Zlatan Ibrahimoviç vari këpucët në gozhdë duke i dhënë fund futbollit të luajtur, nga klubi kuqezi vjen lajmi tronditës i largimit të legjendës Paolo Maldini, prej funksioneve drejtuese.

As 24 orë pas takimit me Gerry Cardinale, në të cilin u shfaqën dallime të rëndësishme në aspekte të ndryshme, nga merkato e kaluar e deri në projektin e kësaj vere, Paolo Maldini dhe Frederic Massara kanë njoftuar përfundimin e marrëdhënies së tyre me klubin kuqezi.

Ende nuk është e qartë se cilat janë kushtet e ndarjes me Maldinin, pasi nuk ka një njoftim zyrtar për shtyp të klubit, por mediat në Itali e bëjnë fakt të kryer vendimin e marrë nga Gerry Cardinale.

Marrëdhënia e tij me Paolo Maldinin nuk ka qenë kurrë idilike, pasi pronarët kanë akuzuar drejtuesit se i kanë shpenzuar keq paratë e vëna në dispozicion për merkaton e shkuar, duke vënë në dukje dështimet e De Ketelaere dhe Origi.

Maldini, nga ana e tij, vazhdoi të kërkonte autonomi në punë dhe mundësinë e veprimit me buxhet më të madh dhe të tillë që të mund të forcojë realisht një skuadër që, sipas tij, nuk mund të marrë rezultate më të mira se ato të sezonit që sapo ka përfunduar.

Edhe gjysmëfinalja e Ligës së Kampionëve u konsiderua një objektiv i rëndësishëm, por vendi i katërt i marrë vetëm falë penalltisë së shkaktuar ndaj Juventusit nuk u konsiderua në lartësinë e pritshmërive nga Presidenca.

Sakaq bëhet me dije se dy drejtuesit teknik, të cilët kishin rinovuar vetëm një vit më parë deri në qershor 2024, do të zëvendësohen nga CEO Giorgio Furlani, i cili do të ketë kompetenca të plota dhe nga shefi i skautëve, Geoffrey Moncada, disi i promovuar në rolin e drejtorit sportiv.

Pavarësisht largimit të kapitenit legjendar nga postet drejtuese të klubit, përjashtohet kategorikisht largimi i teknikut Stefano Pioli, i cili pritet të ketë një rol më të madh në merkato.

LEXO EDHE:

Back to top button