Trump dërgon Witkoff dhe Kushner: Misioni, t’i japin fund luftës në Ukrainë

Të dërguarit e posaçëm të SHBA-së, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, kanë arritur në Moskë si pjesë e përpjekjes së re të Shtëpisë së Bardhë për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër fqinjit të saj, Ukrainës. Të dy diplomatët amerikanë pritet të vizitojnë Kievin një ditë më vonë. Në takimet me Putinin dhe Zelenskin ata do t’i shpalosin propozimet e reja për ti dhënë fund luftës. Këtë e konfirmoi edhe presidenti amerikan Donald Tramp, kur u pyet për misionin e të dërguarve të tij.

“Ne kemi një ide për paqe. Shikoni, unë kam zgjidhur tetë luftëra. Shumica prej tyre ishin, sipas mendimit tim, më të vështira se ajo mes Rusisë dhe Ukrainës. Ka një problem personaliteti në Rusi e Ukrainë. Keni presidentin Vollodimir Zelenski dhe presidentin Vlladimir Putin, ata me të vërtetë e urrejnë njëri-tjetrin. E dini çfarë është urrejtja? Kanë urrejtje serioze dhe kjo po u del përpara… E dini, javën e kaluar humbën 32.000 njerëz, kryesisht ushtarë, gjatë muajit të fundit. Katër javë, humbën 32.000 ushtarë. Po humbasin mesatarisht 25.000 ushtarë në muaj. Kjo duhet të zgjidhet. Prandaj unë dërgova Steve Witkoff-in dhe Jared Kushner-in, dy negociatorët e mëdhenj. Ata kanë bërë një punë të shkëlqyer. Dhe i dërguam atje për të parë nëse mund të arrijmë diçka. Dhe mund të ketë një shans të mirë që do ta bëjmë këtë.” – Donald Tramp, President i SHBA-së.

Putin vetë ka shprehur së fundmi optimizëm të kujdesshëm për mundësinë e një marrëveshjeje paqeje. Në një forum ndërkombëtar ekonomik, ai tha se “ka mundësi” që të arrihet një marrëveshje. Witkoff dhe Kushner kanë udhëhequr përpjekjet diplomatike të administratës Trump për arritjen e një marrëveshjeje paqeje, por mes Moskës dhe Kievit mbeten ende dallime të thella.

Vizita në Ukrainë do të jetë e para për dy negociatorët amerikanë në kuadër të këtyre bisedimeve, ndërsa të dy kanë udhëtuar disa herë në Rusi. Në prag të vizitës, megjithatë, gjendja në terren mbetet e rëndë. Presidenti Zelensky tha se një dron rus goditi zyrën e kreut të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, Oleksandr Poklad, në Kiev.

Poklad vetë nuk raportohet të jetë plagosur. Zelensky deklaroi se i ka kërkuar kreut të SBU-së t’i përgjigjet “në mënyrë të përshtatshme” sulmit. Ndërkohë, autoritetet ukrainase njoftuan se katër persona u vranë dhe pesë të tjerë u plagosën në një sulm rus. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button