Trupi i pajetë i Ratko Mlladiqit mbërrin në Beograd, pritet varrimi mes tensioneve dhe polemikave

Gazetare: Lisa Alili

Një arkivol i mbuluar me flamurin serb, ushtarë në uniforma e nderime ushtarake. Kështu u prit në Beograd trupi i kriminelit serb Ratko Mlladiq, që ndërroi jetë në burgun e Hagës si i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime lufte e krime kundër njerëzimit. Trupi i tij u soll nga Haga me avion qeveritar, arkivoli u nxorr nga gjashtë ushtarë ndërsa në krah të familjarëve të tij ishte i pranishëm edhe Ministri i drejtësisë në Serbi, Nenad Vujiç, i cili ditë më parë tha se Mlladiq do të varrosej me të gjitha nderimet shtetërore më të larta.

Ndërkohë në rrugët e Beogradit u shfaqën qytetarë me pankarta në duar e ndezje flakadanësh në nderim të Mlladiqit. Derisa emri i tij për familjet e viktimave në Bosnjë e Hercegovinë lidhet me një nga kapitujt më të rëndë të luftës së viteve të 90-ta, ku ndaj rreth 8.000 boshnjakëve në Srebrenicë u krye gjenocid, për një pjesë të serbëve ai konsiderohet hero lufte.

”Ne nuk do ta varrosim kurrë. Ai e tha bukur, për sa kohë që dy kombet e mia janë gjallë (Serbia dhe Republika Srpska), askush nuk do të vdesë”, tha një qytetar.

“Trupi i gjeneralit tonë Ratko Mlladiç mbërriti në Beograd. Ai duhet të varroset si hero, me nderime ushtarake dhe shtetërore, le të mos e turpërojmë veten, ashtu siç e kemi turpëruar ndër shekuj me heronjtë tanë”, theksoi një qytetar tjetër.

Të shtunën do të mbahet një ceremoni përkujtimore në sallën e ushtrisë në qendër të Beogradit, ndërsa ceremonia e varrimit do të zhvillohet të hënën në një kishë në periferi të Beogradit, pas së cilës Mlladiqi do të varroset në një varrezë, pranë së bijës. Presidenti Aleksandar Vuçiq ndërkohë ka thënë se shteti do të ofrojë mbështetje logjistike edhe për ruajtjen e rendit, ndërsa autoritetet presin pjesëmarrje prej dhjetëra mijëra personash. Glorifikimi i kriminelit të luftës, Ratko Mlladiq, u prit me reagime të fuqishme nga Bashkimi Evropian./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button