Kurti: Dogana e Kosovës arkëtoi 1.347 miliardë euro të hyra, 6 përqind më shumë se vitin e kaluar

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Dogana e Kosovës ka arkëtuar deri tani 1 miliard e 347 milionë euro të hyra, apo 6 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kurti ka deklaruar se nga viti 2021 deri në vitin 2025, rritja mesatare e të hyrave doganore ka tejkaluar gati trefish normën e rritjes ekonomike. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe janë arkëtuar gjithsej 8 miliardë e 380 milionë euro.

Ai ka veçuar edhe reformat e ndërmarra për lehtësimin e veprimtarisë së bizneseve, përfshirë përmbylljen e shtetëzimit të terminaleve doganore dhe deklarimin e mallrave para arritjes, masë e cila, sipas tij, ka ulur kohën e procesimit me rreth 70 për qind.

Krahas rritjes së efikasitetit në mbledhjen e të hyrave, Kurti ka thënë se Dogana ka forcuar kontrollet kufitare dhe përdorimin e teknologjisë. Sipas tij, funksionalizimi i skanerit në Merdarë ka rritur kapacitetet për identifikimin dhe parandalimin e kontrabandës dhe aktiviteteve të paligjshme.

Në kuadër të modernizimit, Kurti ka përmendur edhe projektet strategjike që janë në zhvillim, përfshirë Dritaren e Vetme Kombëtare, Tranzitin e Përbashkët, automatizimin e mëtejmë të proceseve dhe forcimin e kapaciteteve teknologjike të Doganës së Kosovës. /Telegrafi.

LEXO EDHE:

Back to top button