Trupat luftarake amerikane do të largohen edhe nga Iraku

Shtetet e Bashkuara të Amerikës synojnë të përfundojnë zyrtarisht misionin e tyre luftarak në Irak dhe të përqendrohen vetëm në trajnimin dhe këshillimin e forcave të sigurisë në vend në të ardhmen.

”Trupat luftarake akoma në Irak do të largohen deri në fund të vitit”, sipas një deklarate të përbashkët nga të dy qeveritë, e lëshuar nga Departamenti i Shtetit i SHBA.

”Roli i ushtarëve ndërkombëtarë në Irak është të mbështesin qeverinë në luftën e saj kundër militantëve të Shtetit Islamik”, theksoi deklarata.

Presidenti i SHBA Joe Biden tha para një takimi me kryeministrin Irakian Mustafa al-Kadhimi në Shtëpinë e Bardhë se roli i trupave amerikane do të jetë “vetëm për të qenë në dispozicion, për të vazhduar të stërviten me afganët dhe për t’i ndihmuar ata”.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, aktualisht ka rreth 2 500 trupa amerikane të vendosura në Irak. Shifra e ardhshme do të varet nga nevojat e misionit të ri, tha ai.

Trupat amerikane dhe të NATO-s janë larguar edhe nga Afganistani.

Vjeshtën e kaluar, me afrimin e procesit të largimit të trupave amerikane nga Afganistani, një vit pas nënshkrimit me talebanët të marrëveshjes së tërheqjes, shumë nga zyrtarët e lartë të sigurisë në Kabul kishin nxitur presidentin Ashraf Ghani për të zvogëluar trupat e huaja në vend, veçanërisht në zonat rurale dhe postat e largëta ushtarake.

Më pak se një vit më vonë, pas largimit të trupave amerikane dhe të atyre të NATO-s, pjesë të territorit ranë në duart e talebanëve dhe mijëra ushtarë afganë janë larguar nga vendi ose u janë dorëzuar militantëve duke u dhënë atyre  edhe pajisje dhe armë luftarake.

”Në vend të ridimensionimit, pati një shembje të raporteve”, raporton gazeta britanike ”The Guardian”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë frikë se dhe vetë Kabuli mund të bjerë, pas disa muajsh, në dorë të talebanëve.

”Më shumë se 1 000 ushtarë afganë kanë ikur përtej kufirit, dhe shumë qindra të tjerë kanë dorëzuar armë dhe pajisje tek talebanët shpesh të regjistruara në video dhe të shpërndara në median sociale”, raporton gazeta angleze.

Në të gjithë spektrin politik, askush nuk e kishte parashikuar shkallën ose shpejtësinë e shpërbërjes së forcave të sigurisë afgane, madje edhe ata që dëshironin një tërheqje strategjike.

Kjo e ka futur vendin në kaos.

LEXO EDHE:

Back to top button