Tubimi i BDI-së në Çair, Ahmeti kërcënon “Grupin e Zjarrit”
Tubimi i BDI-së në Çair, Ahmeti kërcënon “Grupin e Zjarrit”

Gazetar: Adrian Kerimi
Kërcënime, porosi të drejtpërdrejta, por në ndërkohë edhe shtrirje e dorës së pajtimit. Këto ishin elementet përmbajtjesore në fjalimet e eksponentëve të BDI-së mbrëmë nga tubimi në Çair të Shkupit. Ndonëse ky takim ishte thirrur për qytetarët e Çairit dhe lagjes së Shkupit të vjetër, në sallë u panë funksionarë, deputetë dhe aktivistë nga të gjitha degët e BDI-së. Rrugët ishin bllokuar me vetura nga qytete të ndryshme.
Zëvendëskryeministri Artan Grubi mes tjerash dërgoi porosi të drejtpërdrejtë ndaj grupit të zjarrit.
“Në fillim e pat një video këtu doli një tunel me një dritë në fund dhe gjithmonë drita në fund të tunelit simbolizon shpresën, por mua ky tunel dhe kjo dritë ma kujtoi një mësim popullor: vëllezër e motra, trenit nuk i dilet përpara”, tha Artan Grubi, Zëvendëskryeministër.
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti shkoi një hap më tutje. Fuqinë e partisë së tij e krahasoi me dukuri natyrore.
“A ka kush se na ndal në këtë rrugë, kot e kanë të gjithë ata që bëjnë propagandë. Kot e kanë sepse, Artan ne nuk jemi tren por jemi uragan. Uragani nuk ndalet. Uragani po të vuri përpara nuk ngrihesh dot dhe të mbulon njëherë e përgjithmonë. Prandaj të gjithë atyre që përpiqen të ndalojnë, pengojnë vizionin e misionin e BDI-së le të dëgjojnë dhe besojnë një porosi shumë të sinqertë: mos i dilni para uraganit se u shkelë”, u shpreh Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi u përkujdes të përshëndes shokët e luftës, Beqir Aasanin dhe Rafiz Ailitin (mësuesi) për të cilët jo zyrtarisht flitet se mund të zëvendësojnë Izet Mexhitin dhe Blerim Bexhetin në organet partiake.
“Mirëserdhe Beqë….Mirëserdhe mësues”, u shpreh Talat Xhaferi, Kryetar i Kuvendit.
Mes fjalimeve plotë porosi dhe në fund koncertit për aktivistët e rinj, organizatorët ishin përkujdesur edhe për një pjesë folklorike me mesazh të drejtpërdrejtë.
“Të hupi rroja, të hupi fara, tuk o se dole o të keqes përpara, o tuk o se i dole o të keqes përpara”…/Alsat.mk