Turneu në Doha, Karlos Alkaraz dhe Janik Siner vijojnë më tej
Nuk ka surpriza në raundin e 1/8 në turneun ATP 500 të Dohas, teksa dyshja favorite, Karlos Alkaraz dhe Janik Siner arritën të siguronin kualifikime të thjeshta.
Numri 1 i botës Karlos Alkaraz, arriti një fitore të fuqishme ndaj francezit Valentin Royer, 6-3, 7-5, duke kaluar në mes 8 më të mirëve. Spaniolli dominoi setin e parë dhe në të dytin, pavarësisht reagimit të Rojer që mori epërsinë 4-1, ngriti nivelin e lojës dhe shënoi pesë lojëra radhazi për të vulosur fitoren dhe siguruar kalimin në çerekfinale. Kjo fitore konfirmon formën e shkëlqyer të kampionit spanjoll, i cili pritet të përballet me një rival të fortë në fazën tjetër të turneut, duke dhuruar spektakël për tifozët në Doha.
Po ashtu, Janik Siner, numri 2 i botës, pas suksesit në debutim ndaj çekut Tomas Maçak, mundi australianin Alekej Popirin, i renditur i 53-ti dhe ish-numër 19 i botës, me rezultatin 6-3, 7-5 në një orë e 24 minuta lojë. Gjatë ndeshjes, Siner fitoi dy pikë për brejk: në 3-2 të setit të parë dhe në 5-5 të setit të dytë, duke e përdorur shansin për të mbyllur sfidën.
Të enjten, italiani do të përballet me çekun Jakub Mensik, numër 16 i botës, përballje që do të jetë krejt e re dhe pritet me interes nga tifozët. Dy nga më të mirët e tenisit botëror treguan formën e tyre të shkëlqyer dhe sigurojnë spektakël të mëtejshëm në Doha, duke konfirmuar se sezoni i këtij viti nis me rivalitet të fortë dhe emocione të mëdha.








