Turqi, mrekullia pas 118 orësh, zjarrëfikësit nga Maqedonia shpëtojnë 38 vjeçaren

Turqi, mrekullia pas 118 orësh, zjarrëfikësit nga Maqedonia shpëtojnë 38 vjeçaren

Gazetare: Evi Shkopi

Ekipi i Shoqatës Vullnetare të Zjarrfikësve “ Bajram Miftari” nga Çairi dhe zjarrfikësit e tjerë nga vendi që së bashku po vazhdojnë përpjekjet për të larguar rrënojat që la pas tërmeti, rrëfejnë për Televizionin Alsat përjetimin e jashtëzakonshëm dhe vështirësitë gjatë shpëtimit i një 38 vjeçarje që kishte qëndruar për 5 ditë nën rrënoja. Dëgjimi i një zëri gëzoi zjarrfikësit Artan Demiri, Jusuf Jakupi, Etem Arsllani dhe Sefer Demiri, të cilët për disa ditë nga ai objekt i rrënuar kishin nxjerrë vetëm trupa të pajetë. Janë dashur më shumë se 7 orë që nga dëgjimi i zërit e deri në nxjerrjen e gruas nga objekti i rrënuar.

“Si kemi qenë në atë objekt banimi duke punuar, janë dëgjuar disa zëra, në fakt Jusufi kolegu e ka dëgjuar dhe menjëherë e ka ndaluar punën e ekskavatorit dhe kanë filluar gërmimet. Dhe ajo ka zgjatur deri nga ora 9 apo 9 e 30 në mbrëmje. Ndjenja është e papërshkrueshme. Nga njëra anë është dhimbje, e nga ana tjetër gëzim. Kur e sheh një njeri që do që t’i ndihmosh, por nuk ke si t’i ndihmosh është shumë keq.  Kemi hasur në vështirësi të mëdha.  Në vështirësi të mëdha kemi hasur, sepse kanë qenë shumë pllaka të betonit mbi të. Faktikisht ka qenë e ngujuar në dhomën e gjumit, se bashku me bashkëshortin e saj dhe një fëmijë të moshës 7 ose 8 vjeçare. Për fat të keq ata të dy nuk kanë mbijetuar tërmetit.  Kur e nxorëm nuk ishte në dijeni se çfarë po ndodh.  Mrekullia e Zotit”, tha Artan Demiri- Shoqata Vullnetare e Zjarrfikësve “ Bajram Miftari”.

Avni Ameti, komandant i Njësitit të Zjarrfikësve të Tetovës, tha se objekti ku punojnë ka qenë kompleks banimi, ku supozohet se numri i banorëve ka qenë mbi 60. Ndërtesa është shembur në mënyrë horizontale, duke zënë poshtë vetes të gjithë banorët. Tha se herë pas herë dëgjojnë plasaritje të mureve në ndërtesat e dëmtuara përreth, e të cilat mund të shemben nga momenti në moment.

“Gjithçka në këtë qytet është e rrënuar. Përpiqemi tani, jemi ndarë në dy ekipe. Ekipi që qëndrojmë këtu me Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim. Njëri grup është duke qëndruar këtu, tjetri ndodhet në një tjetër lokacion. Situata është shumë e rënduar, e tensionuar. Të gjithë familjarët presin rreth godinave, për të marr ndonjë lajm për të afërmit e tyre”, u shpreh Avni Ameti- kryeshef i Njësitit të Zjarrfikësve të Tetovës.

Ekipe shpëtimi drejt Turqisë ka dërguar Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, komunat, Armata e Maqedonisë së Veriut, ndërsa kanë shkuar edhe vullnetarë./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button