Tushel: Ekipi nuk di të shënojë, më vjen inat se shpërdorojmë

Trajneri i Bajern Munihut, Tomas Tushel, është shprehur se nuk është një lajm i ri se ekipit i mungon një numër 9. Në ndeshjen kundër Man. Sitit, ekipi krijoi 10 raste në të cilat vetëm 4 përfunduan me goditje në portë dhe mungesa e një qendërsulmuesi të mirëfilltë ndjehet në kampin bavarez.
Gjigantët gjermanë po ndjekin me interes situatën e sulmuesit Hari Kejn, me anglezin i cili për momentin duket larg edhe pse ka vetëm edhe një vit të mbetur në kontratë. Në miqësoren e luajtur përballë ekipit të Pep Guardiolës, ekipi krijoi mjaftueshëm por arriti të shënojë vetëm një herë. Dhe trajneri ka shprehur hapur pakënaqësitë për repartin e avancuar.
“Nuk është më një lajm i ri që ne po kërkojmë për një numër 9, siç e shihni ne në çdo ndeshje përpiqemi të improvizojmë, por është shumë e vështirë, duhet një lojtar natyral për atë pozicion. Kundër Sitit krijuam shumë raste dhe më vjen inat që nuk e kemi lojtarin e duhur për t’i finalizuar rastet tona,” tha mes tjerash Tushel.
Bajerni e nisi ndeshjen me treshen Gnabri, Koman, Sane, të cilët ishin të pamjaftueshëm për të shënuar. Goli erdhi vetëm në pjesën e dytë me talentin francez Matias Tel, i cili shfrytëzoi një top të kthyer pas pritjes së portierit Ederson.
Sezoni i ri është gati të nisë së shpejti dhe Bajerni duhet të gjejë shpejt një zgjidhje për sa i përket numrit 9, i cili i mungon që nga largimi i Robert Levandovskit drejt Barcelonës, pozicion ky që i krijoi jo pak probleme klubit gjerman edhe sezonin e kaluar.