U hap zyrtarisht sezoni turistik në Kodrën e Diellit
U hap zyrtarisht sezoni turistik në Kodrën e Diellit
Gazetar: Bashkim Sulejmani
Me fishekzjarrë, muzikë dhe shumë mysafirë u hap zyrtarisht sezoni turistik në Kodrën e Diellit. Reshjet e fundit të borës bënë që shtigjet e skijimit të trasohen mirë, ndërsa nuk munguan vizitorët e shumtë që sot kishin ardhur për të shijuar motin e bukur me diell, shkruan Alsat.
Biletat e ski liftëve sot ishin pa pagesë. Në funksion u vunë të gjithë ski liftët, përfshirë edhe panoramikja apo gjashtë ulësja.
“Pas aktiviteteve të shumta përgatitore, jemi tashme të gatshëm të ofrojmë një eksperiencë të paharrueshme për adhuruesit e dimrit. Falë ekipit dhe punës së tyre të palodhshme, shtigjet e skijimit juanë të gatshme për pritjen e turistëve. Në dispozicion të vizitorëve të ski qendrës, përveç objekteve të tjera të akomodimit, do të jetë edhe hoteli Sllavija që menaxhohet nga Kodra e Diellit”, tha Gani Aliji, drejtor i pikës turistike Kodra e Diellit.
Me njoftim për regjimin e komunikacionit për në Kodër të Diellit, kanë dalë edhe nga komuna e Tetovës. Në rast të bllokimit të rrugës për në Kodër të Diellit si pasojë e numrit të madh të turistëve, qasja me makina deri në Kodër të Diellit do të ndalohet, dhe e njëjta do të jetë deri tek vendi i quajtur guri i “Sidollit”, nga ku turistët më pas do të barten me furgonat e Kodrës së Diellit deri tek shtigjet e skijimit.
“Nga kjo fundjavë do të fillojë me funksionimin linja e rregullt për transport publik në drejtimin “Tetovë – Kodra e Diellit”. Kjo linjë do të jetë funksionale çdo të shtunë dhe të diel. Nga Tetova drejt Kodrës së Diellit autobusët do të nisen në ora 08:00, 10:00, 12:00 dhe 15:30, ndërsa kthehet në qytet një orë më vonë nga këto terminë”, thonë nga Komuna e Tetovës.
Përveç vizitorëve vendas sot Kodrën e Diellit e frekuentuan edhe vizitorë nga Kosova dhe Shqipëria. Për vizitë ditën e nesërme pritet të qëndroj edhe kreu i Komunës së Tetovës Bilall Kasami./ Alsat.mk