Udhëheqësit e G7 paralajmërojnë për sanksione të reja kundër Iranit

Udhëheqësit e G7 paralajmërojnë për sanksione të reja kundër Iranit

Shpërthime dronësh dhe raketash u dëgjuan mëngjesin e hershëm në zonën e Isfahanit në Iran. Sipas mediave iraniane, kjo duket si një hakmarrje e kufizuar e Izraelit ndaj Iranit. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse vendi ishte nën sulm, pasi asnjë zyrtar iranian apo izraelit nuk pohoi një gjë të tillë. Komentet se Izraeli ka sulmuar Iranin, erdhën pasi ushtria izraelite kreu një goditje me raketa në pozicionet e ushtrisë siriane në jug të Sirisë, duke shkaktuar dëme materiale. Mediat amerikane, gjithashtu reaguan për shpërthimet në Iran. Nju Jork Tajms citoi zyrtarë anonimë izraelitë që pretendonin sulmin. Nga ana tjetër, Hossein Deliriyan, zëdhënës i Qendrës Kombëtare iraniane për Hapësirën Kibernetike, hodhi poshtë raportimet e mediave amerikane, duke shkruar në platformën X se “nuk ka pasur asnjë sulm ajror nga jashtë kufijve ndaj Isfahanit apo në pjesë të tjera të shtetit”. Udhëheqësit e G7, në takimin e tyre, paralajmëruan për sanksione të reja kundër Iranit. Incidenti në Isfahan, nuk u trajtua menjëherë, por G7 u kërkoi të dyja palëve të ushtrojnë përmbajtje dhe të shmangin një përshkallëzim të konfliktit.

“Së pari, G7 dënon sulmin e pashembullt iranian ndaj Izraelit. Ne jemi të angazhuar për sigurinë e Izraelit. Ne jemi gjithashtu të angazhuar për të de-përshkallëzuar. Dhe dje, Shtetet e Bashkuara njoftuan sanksione shtesë ndaj Iranit që synojnë programet UAV, industrinë e çelikut, kompanitë që janë të lidhura me Trupat e Gardës Revolucionare Islamike, Ministrinë e Mbrojtjes dhe logjistikën e forcave të saj të armatosura. Deklarata e G7 bën të qartë se vendet e G7 do të miratojnë, sanksione shtesë ose masa të tjera në ditët në vazhdim”, deklaroi Antony Blinken, Sekretar i Shtetit i SHBA-së.

Frika e një goditjeje të mundshme izraelite, pas sulmit të pashembullt me mbi 300 dronë dhe raketa të Teheranit ndaj vendit më 14 prill, është rritur në rajon dhe ndërkombëtarisht. Diplomatët dhe politikanët në mbarë botën, vazhdojnë të bëjnë thirrje për vetëpërmbajtje ndaj dy vendeve. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button