Udhëheqësja e opozitës bjelloruse refuzon ndihmën nga Perëndimi


Udhëheqësja e opozitës bjelloruse, Sviatlana Tsikhanouskaya, tha për Zërin e Amerikës se kriza politike në vendit të saj është një “çështje e brendshme”, duke lënë të kuptohet refuzimin e çdo ndihme nga Perëndimi. Në një intervistë në Vilnus të Lituanisë, ku ajo u strehua pas zgjedhjeve të debatueshme të 9 gushtit në Bjellorusi, zonja Tsikhanouskaya tha se kishte frikë për fatin e protestuesve në rrugët e vendit të saj.

Sviatlana Tsikhanouskaya është vënë në qendër të vëmendjes globale. Një nga figurat kryesore të opozitës bjelloruse, 37 vjeçarja Tsikhanouskaya po i reziston Alexander Lukashenkos, i cili konsiderohet si diktatori i fundit i Evropës. Megjithatë, zonja Tsikhanouskaya i tha Zërit të Amerikës se ajo nuk po kërkon ndihmë ndërkombëtare.

“Kjo krizë politike në vendin tonë është tërësisht një çështje e brendshme dhe populli bjellorus ka përgjegjësi për atë që po ndodh. Mendoj se këtë problem duhet ta zgjidhim vetë.”

Zgjidhja e tyre deri tani: fuqia e popullit. Dhjetëra mijëra protestues kanë vërshuar rrugët që nga zgjedhjet e 9 gushtit, duke kërkuar dorëheqjen e Presidentit Lukashenko. Ai deklaroi fitoren me 80 përqind të votave. Opozita së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian thonë se votimet ishin manipuluar tërësisht.

Qindra protestues janë arrestuar ndërsa ka mjaft prova për abuzime dhe tortura.

Zonja Tsikhanouskaya u strehua në shtetin fqinj Lituani pas zgjedhjeve, e frikësuar për sigurinë e familjes së saj, por nuk pranoi të jepte më shumë sqarime.

“Kam patur një arsye madhore për të ndërmarrë këtë hap. Ndoshta në të ardhmen do të flas më shumë, por tani nuk mund të komentoj.”

Ajo po përpiqet të koordinojë një udhërrëfyes për të ardhmen e Bjellorusisë.

“Së pari, do të fillojmë negociatat kur atutoritet të lirojnë të gjithë të burgosurit politikë, të cilët janë të pafajshëm dhe ende në burgjet e Bjellorusisë. Po luftojmë për zgjedhje të lira, të ndershme dhe transparente, që do të thotë që çdo qytetar bjellorus do të jetë në gjendje të marrë pjesë në zgjedhje. Një pyetje me vend do të ishte nëse zoti Lukashenko ka të drejtën morale të marrë pjesë në zgjedhjet e reja pas gjithë atyre krimeve që ka bërë.”

Kremlini e ka ftuar zotin Lukashenko në Moskë në ditët në vijim. Presidenti rus Vladimir Putin thotë se ai ka një forcë rezervë policore të gatshme për të ndërhyrë në Bjellorusi.

“Zoti Putin duhet ta kuptojë se nëse ai bën diçka kundër nesh, kjo do të dëmtojë seriozisht marrëdhëniet mes popullit rus dhe bjellorus. Dhe për shkak se jemi vende aleate, ne konsiderohemi pothuajse vëllezër, kjo nuk është në interes as të Bjellorusisë dhe as të Rusisë.”

Zonja Tsikhanouskaya kandidoi për postin e presidentes pas arrestimit të burrit të saj në muajin maj. Video-bllogeri i njohur Sergei Tikhanovsky kishte në plan të kandidonte në zgjedhje. Gratë e tjera të opoziatës e mbështetën atë. Mijëra gra u janë bashkuar protestave anti-qeveritare gjatë ditëve të fundit.

“Është e vështirë për mua sepse dua të jem me ta. E dini pse? Sepse nuk e ndjej plotësisht atë atmosferë. Duke vëzhguar nga këtu, më duket e frikshme dhe ata duken të frikësuar. Por njerëzit që janë atje më thonë se janë të frymëzuar. Gratë e Bjellorusisë kanë një forcë të tillë. Jam e shqetësuar, por ato janë shumë të forta.”

Protestat ngjasojnë me ato në Ukrainën fqinjte të vitit 2014, që çuan në rrëzimin e Presidentit Viktor Yanukovytch. Pas kësaj, ngjyrat e flamurit të Bashkimit Evropian mbushën Sheshin e Pavarësisë ndërsa opozita kërkoi mbështetjen e Perëndimit. Rusia u përgjigj duke aneksuar Krimenë dhe pushtuar Ukrainën lindore.

Për dallim, zonja Sviatlana Tsikhanouskaya, tani për tani ka refuzuar çdo ndërhyrje nga jashtë.

Përtej kufirit në vendin e saj, protestuesit vazhdojnë të sfidojnë qeverinë. E ardhmja e tyre dhe fati politik i zonjës Tsikhanouskaya mbeten tejet të pasigurta.

LEXO EDHE:

Back to top button