Ukraina apelon për më shumë armë

Ukraina apelon për më shumë armë

Forcat ukrainase e kanë të vështirë t’i parandalojnë sulmet ruse në qendër të fushëbetejës kyçe në Severodonjeck, por Moska ende nuk e kontrollon qytetin lindor, thonë zyrtarët rajonalë.

Severodonjecku dhe qyteti i tij binjak, Lisiçansk, i cili shtrihet përtej lumit Siverski Donjeck, për nga ana strategjike janë të rëndësishëm në përpjekjen e Kremlinit për të kapur rajonin lindor të Donbasit të Ukrainës.

Lufta e zhvilluar, nga e cila deri tash trupat ruse kanë vënë kontroll mbi pjesët të mëdha të Severodonjeckut, mund të ketë një ndikim të madh në fazën tjetër të luftës.

Ndërkohë, fluksi i armëve perëndimore në Kiev vazhdon, por zyrtarët ukrainas kanë paralajmëruar se nevojiten sasi më të mëdha dhe të qëndrueshme pajisjesh nëse duan të kenë avantazh ndaj forcave ruse. Zelenski tha se rezultati i luftës në vendin e tij do të ndikojë jo vetëm në Ukrainë, por edhe në të ardhmen e rendit ndërkombëtar.

“Moska do të shkatërrojë çdo qytet në Donbas, por ne do të bëjmë gjithçka për të ndaluar rusët për sa kohë që ka artileri nga partnerët tanë perëndimorë”, tha Volodimir Zelenski, president i Ukrainës.

Ndërkohë presidenti amerikan Joe Biden tha se homologu i tij ukrainas, Volodimir Zelensk “nuk donte të dëgjonte” paralajmërimet amerikane përpara pushtimit rus të Ukrainës. “Unë e di që shumë njerëz menduan se po e ekzagjeroja, por e dija që kishim informacionin për të mbështetur analizën që presidenti rus Vladimir Putin kishte kaluar kufirin. Nuk kishte dyshim dhe Zelenski nuk donte të dëgjonte, ashtu si shumë njerëz të tjerë. Unë e kuptoj pse, por në fund Putini e bëri atë që bëri”, tha Bajden.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës në një deklaratë njoftoi vdekjen e 24 fëmijëve të tjerë në Mariupol, porti në pjesën juglindore të vendit që ka qenë në sulmin e vazhdueshëm të forcave ruse për javë të tëra.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm tha se të paktën 287 fëmijë kishin vdekur që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt. Të paktën 492 janë plagosur. Kryetari i bashkisë së Mariupolit – i cili është shkatërruar për shkak të rrethimit  tha se ka shpërthyer në qytet kolera,  pasi rrjeti i kanalizimeve nuk funksionon dhe kufomat po dekompozohen në rrugë.

LEXO EDHE:

Back to top button