Ushtria ukrainase tha më 26 mars se ofensivat ruse janë përqendruar në Bahmut dhe në disa pjesë të tjera në lindje të vendit.
Kjo deklaratë vjen pasi Moska njoftoi për planet për të dislokuar armë bërthamore taktike në Bjellorusinë fqinje dhe presidenti ukrainas mirëpriti ndihmën e fundit të ofruar nga komuniteti ndërkombëtar.
Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha se forcat e tij po vazhdojnë të mbajnë pozicionet në Bahmut, qytet që për muaj të tërë është i rrethuar nga forcat ruse. Më herët gjatë kësaj jave, një komandant i lartë ukrainas tha se situata në Bahmut është duke u “stabilizuar”.
Ushtria ukrainase tha se sulmet ruse po vazhdojnë në Liman, Marinka dhe Avdivivka në Donjeck.
Kievi po ashtu tha se forcat e tij po kryejnë “veprime mbrojtëse” në zonat përreth Hersonit dhe Zaporizhjës, ku granatimet përreth centralit bërthamor të Zaporizhjës – që është nën kontrollin rus – kanë rritur shqetësimet.
Më 24 mars, autoritetet në qytetin e Hersonit u bën thirrje banorëve që gjenden pranë lumit Dnjepër që të largohen “në zona të sigurta”.








