Ukraina kërkon përshpejtimin e dërgesave të armëve nga aleatët perëndimorë

Ukraina kërkon përshpejtimin e dërgesave të armëve nga aleatët perëndimorë

Ukraina u ka kërkuar aleatëve të saj perëndimorë që të përshpejtojnë furnizimin me armë dhe pajisje luftarake.

Kërkesa e Ukrainës vjen në kohën kur ministrat e Mbrojtjes të NATO-s përgatiten të takohen për të dytën ditë me radhë, dhe kur Rusia ka intensifikuar përpjekjet e saj disamujore për të kapur qytetin lindor të Bakhmutit.

Me ofensivën e re të Rusisë në rajonin lindor të Donbasit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, më 14 shkurt, paralajmëroi se Rusia po përpiqet të fitojë në fushëbetejë përpara se dërgesat perëndimore të armatimit të mund të mbërrinin në Ukrainë.

“Mund të them me besim se tendencat bazë mbeten të pandryshuara. Së bashku, Ukraina dhe partnerët e saj po bëjnë gjithçka për të siguruar që shteti terrorist të humbasë. Dhe që kjo të ndodhë sa më shpejt”, tha Zelensky në fjalimin e tij të natës.

Në ditën e parë të një takimi dy-ditor në Belgjikë, ministrat e mbrojtjes të NATO-s treguan ngurrim për të dërguar avionë luftarakë – diçka që zyrtarët ukrainas e kanë kërkuar vazhdimisht.

Numri i vendeve që janë zotuar të dërgojnë tanke në Ukrainë është rritur në 11, tha gjenerali Mark Milley, kryetar i Shefave të Shtabit të Përbashkët të SHBA-së, në një konferencë shtypi pas takimeve të Brukselit; 22 vende janë zotuar të dërgojnë automjete luftarake të këmbësorisë, 16 po dërgojnë artileri dhe municione dhe nëntë po dërgojnë sisteme të mbrojtjes ajrore.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, premtoi ndihmë shtesë dhe armatime, por ai tha se nuk mund të thotë asgjë përsa i përket avionëve.

Edhe ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius tha se avionët nuk ishin fokusi i diskutimeve perëndimore për momentin.

“Kur qiejt mbi Ukrainë të mbeten të sigurt në tre, deri në katër muajt e ardhshëm, atëherë mund të flasim për të gjitha hapat e tjerë të mëtejshëm”, tha Pistorius.

Luftimet më intensive për momentin janë në Donbas, rreth qytetit Bakhmut, si dhe në veri, afër Kreminës dhe në jug, afër Vuhledarit.

Në vlerësimin e saj të përditshëm më 15 shkurt, ushtria e Ukrainës tha se luftimet ishin gjithashtu të përqendruara rreth Lymanit, Avdjivkas dhe Kupjanskut.

Forcat ruse kanë kaluar muaj të tërë duke u përpjekur për të kapur Bakhmutin, i cili shtrihet pranë disa autostradave kryesore.

Në javët e fundit, trupat ruse, duke përfshirë ushtarë nga grupi mercenar Wagner, kanë bërë përparim të ngadaltë, por në rritje rreth Bakhmutit; gjatë fundjavës, pronari i Wagner, biznesmeni i Shën Petersburgut, Yevgeny Prigozhin, pretendoi se trupat e tij kishin kapur një fshat të vogël e të rëndësishëm në periferinë veriore të Bakhmutit.

Përderisa 24 shkurti po afron – kur shënohet njëvjetori i nisjes së pushtimit – Rusia po përdor shumë artileri në betejën më të ashpër, atë për marrjen e kontrollit të qytetit të Bahmutit.

Së fundmi, Kremlini ka intensifikuar operacionet në mbarë pjesën jugore dhe lindore të Ukrainës dhe para njëvjetorit të nisjes së pushtimit, po synon që të nisë një ofensivë të madhe. /REL

LEXO EDHE:

Back to top button