Ukraina shënon 1 vjetorin e agresionit rus, Zelenski i bindur se Ukraina do të fitojë luftën

Ukraina shënon 1 vjetorin e agresionit rus, Zelenski i bindur se Ukraina do të fitojë luftën

Gazetar: Isuf Kadriu

Presidenti i Ukrainës, Volodymir Zelenski u zotua se do të fitoj luftën me Rusinë ndërsa ai dhe populli ukrainas sot shënojnë përvjetorin e parë të pushtimit rus që ndryshoi jetën e tyre.
Mesazhin drejtuar kombit, Zelenski e dha pikërisht nga tavolina kur një vit më parë, më 24 shkurt, dha alarmin për agresionin rus ndaj vendit të tij.

“Një vit më parë, në këtë ditë, pikërisht nga ky vend, rreth orës shtatë të mëngjesit, ju drejtova popullit me një deklaratë të shkurtër. Ajo zgjati vetëm 67 sekonda. Ai përmbante dy gjërat më të rëndësishme, atëherë dhe tani. Që Rusia filloi një luftë në shkallë të gjerë kundër nesh. Dhe se ne jemi të fortë. Ne jemi gati për çdo gjë. Ne do t’i mposhtim të gjithë. Sepse ne jemi Ukraina. Kështu filloi 24 shkurti 2022. Dita më e gjatë e jetës sonë. Dita më e vështirë e historia jonë moderne. Ne u zgjuam herët dhe që atëherë nuk kemi fjetur”. Tha Volodymir Zelenski, President i Ukrainës.

Presidenti rus Vlladimir Putin sulmin ndaj Ukrainës, të cilin e quajti si operacion special për çmilitarizimin dhe denazifikimin e këtij vendi, e nisi me 200 mijë ushtarë me besimin se gjithçka do të përfundonte brenda pak ditësh, por Zelenski tha se populli ukrainas, me moralin e fortë, besimin në veten, dashurinë për atdheun theu mitin e një superfuqie botërore si Rusia.

Në betejën kundër Rusisë, Ukraina ka mbështetjet e të gjitha shtetet perëndimore të Evropës dhe SHBA-së të cilat kanë shpenzuar miliarda dollarë ndihmë për pajisjen e ushtrisë ukrainase me armët më moderne.

“Besimi ynë është forcuar. Na është forcuar morali. Ne duruam ditën e parë të një lufte të gjerë. Nuk e dinim se çfarë do të ndodhte nesër, por e kuptuam me siguri: çdo e nesërme ia vlen të luftohet! Dhe ne luftuam. Dhe luftuam ashpër për çdo ditë. Dhe duruam ditën e dytë. Dhe pastaj – të tretën. Tre ditë që na parashikuan të zgjasin. Ata kërcënuan se për 72 orë ne nuk do të ekzistonim. Por ne mbijetuam ditën e katërt. Dhe pastaj të pestën. Dhe sot bëhen një vit që ne qëndrojmë. Dhe ne ende e dimë: çdo e nesërme ia vlen të luftohet”, u shpreh Volodymir Zelenski, President i Ukrainës.

Ushtria ruse fillimisht pushtoi disa rajone në lindje të vendit po asnjëherë nuk arriti të rrethonte Kievin, që ishte edhe synimi I tij kryesor, rrëzimin e pushtetit të Zelenskit dhe instalimin e një qeverie të kontrolluar prej tij. Ushtria ukrainase ka thënë se rreth 130 mijë pjesëtarë të ushtrisë ruse janë vrarë në Ukrainë ndërsa mijëra tanke dhe pajisje tjera ushtarake janë shkatërruara. Rusia pranon se ka humbje por jo edhe shifrat që pretendon Kievi.

Agresioni rusi në Ukrainë ka sjellë mijëra civilë, miliona të zhvendosur, fshatra dhe qytete të rrafshuara me tokë. Lufta në Ukrainë është më e tmerrshmja që nga Lufta e Dytë Botërore. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button