Ukraina shënon 31-vjetorin e pavarësisë, Zelensky: Do të luftojmë deri në fund
Ukraina shënon 31-vjetorin e pavarësisë, Zelensky: Do të luftojmë deri në fund

Gazetar: Shkelzen Aqifi
Në gjashtë mujorin e nisjes së sulmit të paprovokuar të Rusisë, Ukraina shënon 31-vjetorin e pavarësisë nga ish-Bashkimi Sovjetik. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është zotuar se shteti i tij do t’i luftojë trupat ushtarake ruse “deri në fund”.
“Ne e kuptojmë se pavarësisht ndihmës dhe mbështetjes, askush përveç neve nuk do të luftojë për pavarësinë tonë. Ne jemi të bashkuar. Nuk ka rëndësi se çfarë ushtrie kemi, e rëndësishme është toka jonë. Ne do të luftojmë për të deri në fund. Ne do të çojmë duart lart vetëm një herë – kur të festojmë fitoren. E gjithë Ukrainës. Sepse ne nuk tregtojmë tokën dhe popullin tonë. Për ne, Ukraina është e gjithë Ukraina. Të gjitha 25 rajonet, pa koncesione apo kompromise. Ne nuk njohim këto fjalë, se ato janë shkatërruar nga raketat më 24 shkurt”, deklaroi Volodomyr Zelenski, President i Ukrainës.
Zelensky dhe zonja e parë Olena Zelenska vendosën lule në një memorial për protestuesit që vdiqën gjatë demonstratave në vitin 2014 dhe në një tjetër memorial kushtuar ushtarëve ukrainas të vrarë në Donbas gjatë luftës.
Kryeqyteti ukrainas dhe disa qytete tjera të mëdha, kanë ndaluar festimet publike, pas paralajmërimeve se Rusia mund të përdorë këtë ngjarje për të sulmuar infrastrukturën civile dhe qeveritare. Banorët Kievit u zgjuan nga sirenat e sulmit ajror. Në vend të paradës, pajisjet ushtarake ruse të shkatërruara janë vënë në rrugën kryesore të Kievit, si përkujtim për tentimet e dështuara të Moskës që të marrë kontrollin e kryeqytetit ukrainas në ditët e para të luftës.
“Të jesh i pavarur do të thotë të mendosh, të flasësh dhe të bësh çfarë të duash. Edhe në kohë lufte. Kështu bën Ukraina”, tha Andriy Zhelvetro, banor.
“Shokët e mi të palestrës po luftojnë të gjithë në vijën e parë. Kështu që është e papërshtatshme që unë të lodhem. Ata kanë të drejtë të jenë të lodhur dhe ne duhet të ndihmojmë, të dhurojmë dhe të paguajmë taksa dhe të vazhdojmë të luftojmë”, u shpreh Ana Husieva, banore.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jans Stoletenberg tha se lufta në Ukrainë me shumë gjasa do të përfundojë në tryezën e bisedimeve.
“Ne do ta mbështesim Ukrainën për aq kohë sa do të jetë e nevojshme. Ne do të mbështesim Ukrainën që të mbizotërojë si një shtet i pavarur sovran në Europë dhe më pas kjo luftë ka shumë të ngjarë të përfundojë në tryezën e bisedimeve. Dhe rezultati i kësaj do të varet tërësisht nga forcat në fushën e betejës, kjo është arsyeja pse ne po i mbështesim ata”, theksoi Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.
Kancelari gjerman Olaf Scholz uroi Ukrainën për ditën e saj të pavarësisë dhe u zotua të mbështesë vendin në luftën e tij kundër Rusisë për aq kohë sa duhet.
“Evropa e bashkuar në liri dhe demokraci është shumë më e fortë se imperializmi i prapambetur rus. Të dashur ukrainas, vendi juaj do të largojë hijen e errët të luftës sepse është i fortë dhe trim, sepse ka miq në Evropë dhe në mbarë botën. Jemi krenarë për të qenë miku juaj sot dhe në të ardhmen tonë të përbashkët”, nënvizoi Olaf Sholc, Kancelar gjerman.
Prej shpërthimit të luftës, shtatë milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina, derisa kombet perëndimore kanë vendosur sanksione financiare dhe teknologjike ndaj Rusisë për agresionin./Alsat.mk