Ukrainë, rikthehet furnizimi me ujë e rrymë

Ukrainë, rikthehet furnizimi me ujë e rrymë

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, ka thënë se furnizimet me energji elektrike dhe ujë janë rikthyer një ditë pas sulmeve me raketa ruse në objektet ukrainase të energjisë. Ka disa javë që Rusia është duke shënjestruar infrastrukturën ukrainase të energjisë dhe ndërtesa tjera civile, me raketa, dronë dhe sulme artilerie, teksa ushtria ukrainase zgjeron kundërofensivën në lindje dhe juglindje. Në adresimin e tij, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se sistemi ajror ukrainas ka bërë punë të mirë në rrëzimin e shumicës së raketave që janë nisur drejt hapësirës ajrore të Ukrainës. Zyrtarët perëndimorë dhe ata ukrainas kanë thënë se meqë Kremlini është duke dështuar në përmbushjen e synimeve në luftën e nisur tetë muaj më parë, ushtria ruse po tenton, secilën herë e më shumë, që të terrorizojë dhe demoralizojë popullsinë ukrainase. Rusia deri më tani ka shkatërruar më shumë se 40 për qind të infrastrukturës ukrainase të energjisë. Ndërkohë në Moskë, Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se do të pezullohen të gjitha aktivitetet e mobilizimit të pjesshëm ushtarak.

“Forca jonë ajrore, dhe secili që është përfshirë në mbrojtjen e qiellit, ka bërë punë të mirë. Shumica e objekteve që terroristët i kishin si cak u shpëtuan. Vetëm këtë mëngjes terroristët përdorën 55 raketa për një sulm masiv, 45 prej të cilave u rrëzuan. Falënderoj komandat e Forcave Ajrore në Jug, Veri, Lindje dhe Perëndim për këtë rezultat. Katër helikopterë të tjerë rusë u rrëzuan sot: tre sulmues Ka-52 dhe një Mi- 8. Sigurisht, ne do të vazhdojmë të forcojmë mbrojtjen tonë ajrore. Rusia ka një rekord edhe më të keq sa i përket dronëve, përfshirë edhe ato të furnizuar nga partnerët e saj iranianë”, deklaroi Volodimir Zelenski, president i Ukrainës./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button