Ukrainë, situatë e rëndë në Donbas

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski tha se situata në Donbas, në juglindje të Ukrainës është jashtëzakonisht e rëndë, pasi Rusia vazhdon sulmet e pamëshirshme. Zelenski gjithashtu theksoi se Rusia ka shkatërruar 1873 institucione arsimore, shkruan Alsat.

“Situata në Donbas është jashtëzakonisht e rëndë. Njëjtë sikurse në ditët e kaluara forcat ruse sulmojnë Slovianskun dhe Severodonetskun. Forcat e Armatosura të Ukrainës po e frenojnë këtë ofensivë çdo ditë dhe mbrojtësit tanë po i zmbrapsin këto plane të Rusisë. Forcat ruse kanë shkatërruar 1,873 institucione arsimore”, tha Volodimir Zelenski, president i Ukrainës

Ndërkohë shqetësimet sa vijnë e shtohen për fatin e ushtarëve ukrainas që tani janë në duart e forcave ruse, pas braktisjes së fabrikës së çelikut, Azovstal në qytetin e Mariupolit.

Ligjvënësi rus, Leonid Slutsky, udhëheqës i Partisë Demokratike Liberale në Rusi, ka thënë se fati i ushtarëve të zënë, “duhet të përcaktohet nga një Tribunal”. Zyrtarët ukrainas dhe familjarë të ushtarëve, i kanë bërë thirrje Moskës që t’i trajtojë burrat si të burgosur të luftës. Ukraina e ka përshkruar tërheqjen nga Azovstali si “evakuim” të autorizuar, dhe jo si dorëzim. Rusia ka thënë se rreth 2,500 ushtarë ukrainas janë në mbajtje. Besohet se rreth 100,000 civilë vazhdojnë të mbesin në Mariupol, të përballur me situatë të rëndë shëndetësore dhe higjienike. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button