Ukrainasit marrin nën kontroll 6 mijë kilometra katrorë

Ukrainasit marrin nën kontroll 6 mijë kilometra katrorë

Gazetar: Shkelzen Aqifi

Forcat ukrainase kanë rifituar territore të reja në kuadër të kundërofensivës së saj ndaj forcave ruse. Presidenti ukrainas ndërsa bën një rezyme të çlirimeve të territoreve të reja në më pak se dy javë zotohet se operacioni i Kievit do të vijojë në territore të reja. Zelenski i bëri thirrje Perëndimit të përshpejtojë dërgesat e armëve ndërsa trupat ukrainase kanë nisur kundërofensivën për të marrë zonën verilindore të pushtuara nga Rusia.

“Që nga fillimi i shtatorit, ushtarët tanë kanë çliruar tashmë 6000 kilometra katrorë të territorit ukrainas në lindje dhe jug dhe ne jemi duke ecur më tej. Forconi sanksionet – nevojitet një paketë e tetë e sanksioneve të BE-së. Është e nevojshme të rritet ndihma për Ukrainën, para së gjithash për të përshpejtuar sigurimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore për vendin tonë”, tha Volodomyr Zelenski, President i Ukrainës.

Një zyrtar i lartë ushtarak amerikan tha se Rusia ka braktisur territorin afër Kharkivit në verilindje dhe ka tërhequr shumë nga trupat e saj prapa kufirit. Uashingtoni dhe aleatët e tij i kanë ofruar Ukrainës miliarda dollarë armë që Kievi thotë se kanë ndihmuar në bllokimin e forcave ruse. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se forcat ukrainase kanë bërë “përparim të rëndësishëm” me mbështetjen perëndimore.

“Ajo që ata kanë bërë është planifikuar në mënyrë shumë metodike dhe natyrisht kanë përfituar nga një mbështetje e konsiderueshme nga Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të tjera për t’u siguruar që Ukraina të ketë në duart e saj pajisjet që i nevojiten për të fituar këtë kundërofensivë”, u shpreh Antoni Blinken, Sekretar i amerikan i shtetit.

Uashingtoni njoftoi programin e tij të fundit të armëve për Ukrainën javën e kaluar, duke përfshirë municionet për sistemet raketore HIMARS. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button